Shkruan, Bexhet Musliu
Shkup, 8 shkurt – Mes zhvillimeve të larmishme dhe të njëpasnjëshme politike, jemi dëshmitar se ditët e fundit ka rënë nën hije të plotë figura politike e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Mirëpo në Qeveri vazhdojnë të merren vendime për shkarkime dhe emërime, për të cilat thuhet se u qëndron pas Ali Ahmeti. Kjo nuk përputhet fort me imazhin e tij të ndëtur në politikë, si një politikan i qetë dhe jo i ngutshëm. Por shkarkimet vazhdojnë e nuk ndalen, e krejt kjo na shtyn të parashtrojmë pyetjen: “A jeni JU z. Ali Ahmeti, apo ka dalë dikush mbi teje dhe po mer vendime, e ju vetëm po ua bën aminin bashkë me kryeministrin Talat Xhaferi”. Nëse jeni JU, “ndale dorën”, mos lejo veten të biesh nën ndikimin e këshilltarëve e bashkëpunëtorëve labilë. Sepse me këtë stil politik nuk i bën dëm askujt, më shumë se i bën vetvetes dhe se i bën BDI-së.
Dil pak nga kabineti dhe shihe disponimin e qytetarëve, që ta kesh më të qartë se çka je duke punuar dhe vepruar. Shihe se çfarë revolte janë duke krijuar vendimet që po i mer ndoshta dikush tjetër, por në emrin tënd. Deri sa nuk i ndërpret, ose nuk distancohesh nga këto vendime, pa diskutim se JU do ta paguani çmimin më të shtrenjtë.
Qasja ndaj mediumeve poashtu len shumë për të dëshiruar. Nëse dikur ishit shembull për tolerancë ndaj kritikave mediatike, e madje edhe keni inkurajuar mediumet të jenë sa më të guximshme, sot veproni krejtësisht ndryshe.
Merreni me eksport- import të gazetarëve dhe mediumeve që i ka kapluar kriza e dinarit serb e tani mundohen të kompensohen këtu tek ne. Kush ju ka mashtruar se me ndihmën e tyre do ta ktheni rejtingun që e keni pasur?
“A je JU o Ali Ahmeti?”, prap është pyetja që më vjen vetvetiu deri sa shkruaj këto rreshta. Kush të ka marrë përpara, e po vepron siç po ia don qejfi, duke harxhuar figurën dhe dinjitetin tënd personal e politik? Çka po ju pengon t’i thuani STOP kësaj dukurie të keqpërdorimit tuaj nga individë të caktuar, kur ju ke mbështetjen e plotë të anëtarësisë, e ata nuk kanë mbështetje as nga familja e tyre, por vetëm se dinë të bëjnë kurthe e intriga?
Ka kohë që NE si medium të kemi paralajmëruar se e “ke humbur rrugën në oborr”. Deri sa funksionarët tuaj po bëjnë dasëm në qeveri, me hitin e preferuar “Milioner”, shqiptarët ose janë të detyruar të ikin, ose të pajtohen me mbijetesë të vështirë duke skenuar TVSH-në prej llogarive fiskale.
Populli që u dha mbështetjen, suksesin, famën dhe lavdinë në të mirë e të keqe, nuk e ka merituar këtë nga ana juaj!