30 vjet duke krijuar këngëtarë e valltarë profilesh të ndryshme. Ky është letërnjoftimi i SHKA “Dardania” të Winterthurit, e cila javën e kaluar festoi 30-vjetorin e themelimit
Fundjava që shkoj ishte e ngjeshur me aktivitete kulturore kushtuar 28 Nëntorit, anekënd Zvicrës. Por SHKA “DARDANIA” nga Winterthuri kësaj here, pos festës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, festoi edhe 30-vjetorin e themelimit të saj, në një ambient festiv dhe të dekoruar shumë bukur nga stafi i saj i palodhshëm.
Salla ishte stërmbushur, edhe pse me ftesa. Të pranishëm ishin të ftuarit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova Lindore, dhe thuaja se të gjitha trojet tona, por edhe nga mërgata që jeton e vepron në Zvicër e gjetiu. Mysafirët janë pritur me një apero, me pije dhe ushqime tradicionale që kishin sjellë prindërit e anëtarëve të shoqatës.
Në mesin e dekoracioneve festive dhe flamujve binin në sy figurat e luftëtarëve të periudhës ilire, pastaj dy flamuj të festës së 28 Nëntorit, në njërën anë Skënderbeu dhe Adem Jashari dhe në anën tjetër Ismail Qemali e Isa Boletini që zbukuronin skenën, bashkë me flamurin e madh të prapaskenës, ku dominonte shënimi i 30-vjetorit të themelimit të kësaj qendre kulturore.
Programi filloi me inskenimin e një pjese teatrale me regji të udhëheqësit artistik z. Cakollit. Ai, bashkë me stafin artistik, shfaqën skena nga periudha e perandorit Justinian dhe Teodorës, që ndërlidhej edhe me vetë festën e Flamurit dhe festën e Pavarësisë së Shqipërisë. Këtu, autori kishte theksuar lidhshmërinë e perandorit me Dardaninë si tokë amë e shqiptarëve, por edhe vetë Justinianit si dhe me vetë shoqërinë kulturore dhe artistike “Dardania” që tani po feston 30-vjetorin e krijimtarisë së saj.
Dramatizimi për perandorin Justinian dhe Teodorën, dhe lidhja e tij me Dardaninë
Me moderimin e drejtuar nga Albulena Kqiku – Cakolli, së bashku me të birin, Mael Kqikun, u interpretua një dramatizim lidhur me Dardanët dhe vetë Justinianin e Teodorën. Ai u shoqërua edhe me zërin e bukur të mjeshtrit të madh Llesh Nikolla, ndërsa Klodian Elshani luajti rolin e Justinianit dhe Besian Mazrekaj rolin e Teodorës. Këtu janë përfshirë edhe fëmijët, me skena të veçanta si dhe Besnik Ukshini në rolin e Justinit, xhaxhait të Justinianit. Kjo skenë përfundoi me shpalosjen e flamurit kombëtar, interpretimin e himnit kombëtar, dhe me këndimin në kor nga të gjithë anëtarët të këngës “O festë të madhe sot ka Dardania”.
Albulena Kqiku – Cakolli, e filloi moderimin me një përshkrim historik për t`i përshëndetur më pas të gjithë të pranishmit, ku kishte edhe të ftuar zviceranë. Me këtë rast ajo përshëndeti zëvendës-kryetarin e Parlamentit të Winterthurit, z. Samuel Kocher; zëvendës-ministrin e FSK-së z. Shemsi Syla, konsullen e Kosovës në Zürich zonjën Arjeta Gallapeni – Simnica; kompozitorin Sami Piraj, etnomuzikologun Visar Munishi, koreografin Dilaver Kryeziun, mjeshtrin e madh dhe regjisorin Llesh Nikolla, koreografin Gëzim Alimehmeti, Dr. Femi Cakollin pastor i Kishës Protestante në Prishtinë, Dr.Dashnim Hebibin gazetar e publicist në mërgatë, deputetin e parlamentit të Kosovës, z. Enver Dugolli, kryetarin e Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti si dhe mediat e pranishme dhe shoqatat kulturore shqiptare.
Në vazhdim, të pranishmëve iu drejtua kryetari dhe themeluesi i SHKA “Dardania”, Shefqet Cakolli.
“U përshëndes të gjithëve përzemërsisht dhe me përqafime dhe secilin e uroj për pjesëmarrje në këtë mbrëmje të veçantë për ne të gjithëve si shqiptarë që jemi mbledhur për të shënuar Ditën e Flamurit, pra të 112 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, dhe të 30 vjetorit të Shoqërisë Kulturore Artistike “Dardania” nga Winterthuri i Zvicrës”, ka thënë mes tjerash Cakolli.
Ai më tutje ka shtuar: “Sikurse shteti shqiptar, po ashtu edhe “Dardania” jonë kemi pasur një shtegtim jo të lehtë: me vuajtje, me mungesa, me përpjekje, me flijime, duke kënduar e duke vajtuar, në kamje e në skamje, si të mërguar kemi mbërri këtu ku jemi sot, në festë, e në rezultate të lakmueshme, duke qenë mirënjohës gjithsecilit për tërë angazhimin e dhënë për këto tri dekada.
Tërë sukseset dhe lavdet tona i kemi të përbashkëta. Jemi burrnue nën tingujt e melosit shqiptar. Kemi marrë frymë me këngët shqipe. Sytë na janë vezulluar nga veshmbathjet tona tradicionale. Kemi marrë shumë e më shumë nga identiteti dhe dinjiteti i figurave tona kombëtare duke filluar nga kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti Skënderbeu e deri tek heroi legjendar Adem Jashari.
Jam i bindur se kemi krijuar një trashëgimi që ngjallë respekt në shtetin ku jetojmë sikurse edhe kudo mes diasporës sonë dhe në vendet tona të origjinës, Shqipëria e Kosova.
Urimet më të veçanta tërë dardanëve më të vegjël, fatosave dhe yllkave tona, gjithë juve, dhe dashamirëve të shumtë dhe gjithë familjarëve të SH.K.A “Dardania” për 30 vjetorin tonë, duke u shprehur mirënjohjet e mia dhe të kryesisë për mbështetjen dhe besimin e juaj!”.
Pas kryetarit të shoqërisë, fjalën e mori zëvendësministri i FSK-së. Z. Shemsi Syla, i ardhur enkas nga Kosova për ta përfaqësuar qeverinë e Kosovës.
Ai, i emocionuar nga vallet, sidomos ato të më të vegjëlve, mes tjerash tha: “Ne luftuam për lirinë tonë në emrin e UÇK-së, dhe fituam lirinë me shumë sakrifica, ku na ndihmuat po ashtu edhe ju, kurse sot e kemi ushtrinë tonë, sikur që ju sot këtu po mbroni identitetin tonë kombëtar në mërgatë, dhe ne do të ju kemi në mendje sa here që të na ipet mundësia, sepse ju e dini se kohëve të fundit kemi mjaft punë e sakrifica edhe më tutje në Kosovë, por entuziazmi juaj, neve na mban me shpresa se do të vijë dita që edhe do të ju përkrahim një ditë!”. Z. Syla më tutje uroi që kjo shoqëri të ketë jetë të gjatë dhe inkurajoi edhe kryesinë që të vazhdojnë kështu së bashku.
Në vazhdim, në skenë pati një mozaik vallesh, të përfshira nga të gjitha trojet tona, por edhe një valle zvicerane.
Pastaj filloi paraqitja e valltarëve të grupit të të rriturve me koloritin e thuaja se të gjitha trevave tona, për të vijuar me vallen instrumentale, po ashtu premierë, të orkestruar dhe interpretuar nga grupi i orkestrës nga Hamit Shillova udhëheqës i orkestrës, Ekrem Beqirit, Mehmet Sermaxhajt, Tefik Shavdes, Dorart Ahmeti dhe Labinot Bllaca. Ata, me këngën premierë “Kush e nisi luftën i pari” ju kënduan heronjve dhe lirisë sonë të çmuar,
Moderatorja ftoi në skenë po ashtu edhe mysafirët nga Kosova, si muzikologun dhe kompozitorin z. Sami Piraj dhe etnomuzikologun, punonjës në Institutin Albanologjik të Kosovës, Visar Munishi.
Duke marrë fjalën, z Pirraj u shpreh veç tjerash se „hyrja e programit ishte e jashtëzakonshme. Shefqeti, me detajet më të imta, përfaqëson një kolorit të traditës. Ai ka nisur punën më 1994. Në një situatë të rëndë që e dimë të gjithë, ai e mbajti lart frymën patriotike në jetën artistike, për 30 vjet me radhë”.
Më tutje ai, duke ju referuar programit festiv tha se “Vallja e arbëreshëve ishte emocion më vete. Luajtën një skenë të bukur të një njohjeje të re të një çifti, që të dukej se nuk je duke parë valle, por një dramë… Ju lumtë dhe ju përgëzoj për gjithë këtë vlerë që po e kultivoni, sidomos këtu në diasporë“.
Më pas, etnomuzikologu, Visar Munishi, u shpreh se “ky jubile shënon një rrugëtim të gjatë, të pasur dhe një histori të suksesit me plot sfida për të ndërtuar dhe kultivuar një kulturë kombëtare dhe dashuri për kombit tonë shqiptar. Kur mendojmë për Dardaninë, ajo nuk është thjesht një shoqëri kulturore, por edhe më shumë sepse ajo është bërë një shtëpi për çdo shqiptar që vepron dhe jeton në këto anë, duke dëgjuar tingujt e këngëve tona, të shijojë hapat e valleve tona dhe ti përjetoj emocionet tona që na bashkojnë si komb”, ka thënë veç tjerash Munishi.
Si koreograf profesionist, profesor në Universitetin e Prishtinës, dhe universiteteve tjera, me një bagazh të krijimtarisë artistike, para publikut doli Dilaver Kryeziu. Ai theksoi se këtë ansambël e ndjek që nga themelimi. “Shumë më mirë do të vallëzoja sot me këta në skenë, se sa të flas. Hyrja e programit të sontëm ishte një befasi për mua sepse diçka të tillë nuk kam parë, edhe përkundër 30 viteve nëpër festivale. Dua ta përgëzoj edhe moderimin e Albulenës, që e bëri aq bukur me çka e uroj për punën që po bën dhe formën e moderimit që po ashtu nuk e kisha parë më parë”, ka thënë Kryeziu dhe ka uruar SH.K.A. “Dardania” për jubileun e saj.
Ndër të ftuarit ishte edhe deputeti i parlamentit të Kosovë, Enver Dugoli i cili, mes tjerash tha: “pas fjalimeve të njerëzve kompetent të kulturës fjalimi im nuk ka kuptim, sidomos pas gjithë kësaj që po shohim dhe po e shijojmë gjithë së bashku, dhe e falënderoj dhe e përshëndes kryetarin për gjithë këtë punë që ka bërë bashkë me ekipin e vet, të rinjtë dhe fëmijët që i pamë këtu. Kënga hareja dhe sakrifica asnjë here nuk është ndalur as në kohë luftrash si Adem Jashari që në momente të fundit ka kënduar, edhe ju po i sillni trojet tona këtu në Winterthur”.
Në vazhdim moderatorja ka prezantuar vallen arbëreshe, duke thënë “Arbëreshët janë trungu ynë i shkëputur tej detit, para sa shekujsh por që e kanë ruajtur një trashëgimi të lashtë të gjuhës e kulturës, dhe pikërisht nga ky frymëzim ne iu kemi rrekur valles arbëreshe me shumë sakrifica, sepse ajo kërkon kohë e investim. Sonte valltarët tanë do ta paraqesin para jush, punën e Gëzim Alimehmetit koreograf dhe asistenteve tona që punuan deri në finalizimin e saj. Programi vazhdon me vallen e gocave të vogla po ashtu potpuri, me gjithë vallen tiranase që me ëndje e kërcen grupi i mesëm i shoqërisë.
Pastaj dalin në skenë dy çiftet e para, të valles arbëreshe, me një muzikë të veçantë dhe unike. Atyre ju bashkohen të gjithë valltarët me veshjet karakteristike të arbëreshëve që janë ruajtur për 6 shekuj. E gjithë kjo u prit me entuziazëm nga publiku.
Grupi i vajzave të vogla me mjeshtërinë e tyre mbushen skenën dhe morën duartrokitje me vallen tiranase, që e interpretuan bashkë me grupin e mesëm, me kostume nga Shqipëria e Mesme.
Ndër të ftuarit ishin edhe Dr. Femi Cakolli, pastor në kishën BUM në Kosovë, dhe Dr.Dashnim Hebibi, gazetar, editor, publicist e aktivist i mërgatës sonë. Hebibi, ndër të tjera tha “Ne, bijtë e mërguar të Shqiptarisë, kemi dëshmuar se dimë të qëndrojmë të bashkuar, jo vetëm për t’u ndjerë më të fortë e më të sigurt, por ngaqë duke qëndruar bashkë, ne kemi frymuar e vepruar si një trup i vetëm, në shumë segmente të jetës. Këtë unitet, më së miri e ka shpërfaqur Sh.K.A. “Dardania” gjatë tri dekadave të mbushura përplot aktivitete kulturore”. Ai me këtë rast ka falënderuar dhe uruar në veçanti kryetarin e “Dardanisë”, Shefqet Cakollin për punën e tij të palodhshme tridhjetëvjeçare në drejtimin e shoqërisë.
Dr. Femi Cakolli, si njohës i letërsisë shqipe dhe teologjisë së përgjithshme, u përqendrua te hyrja e programit dhe skena teatrale e Justinianit dhe Teodorës për ta lidhur edhe lidhjet e perandorit me pjesët e Dardanisë. “Justiniani është emër perandori. Dardania është emër populli dhe mbretërie ilirie. Justiniani ishte udhëheqës i madh i epokës së përfundimit të antikitetit, kurse mbretëria dardane nis pak para fillimit të antikitetit të vonë, dhe diku pas 300 vitesh mbretërimi humb lirinë. Pas gati 22 shekujve në pjesën qendrore të Dardanisë populli i Kosovës fitoi lirinë dhe bëhet shteti më i ri në Europë, por sot po bëhen edhe pyetje e konstatime se a jemi duke e merituar këtë?!
Ne mburremi mjaftueshëm për përkatësinë tonë shqiptare, arbërore, dardane e ilire dhe mirë bëjmë. E nuk mjafton me kaq? Ta synojmë më të mirën, më të lartën, më të thellën, më të çmueshmen, më të madhen, më njerëzoren! Aksion: le t’i flakim të metat e paudhësitë tona…”, ka thënë veç tjerash z. Cakolli.
Programi ka filluar me dy poezi të fëmijëve, anëtarë të të shoqërisë: Anuar Ibrahimi dhe Sara Grabovci që recituan vjersha për flamurin dhe për gjuhën tonë shqipe.
Konsullja e Republikës së Kosovës në Zürich, zonja Arjeta Gallapeni- Simnica, në fjalën e saj mes tjerash tha se “ky përvjetor tregon se për 30 vite rresht është dashur mund e “sakrificë, që të arrihet në këtë nivel të organizimit. Ndjehemi të privilegjuar të jemi në mesin e bashkatdhetarëve që asnjëherë nuk rreshtën së punuari e vepruari për vendin tonë”.
Koreografi dhe ish valltari i ansamblit shtetëror të Shqipërisë, nga Tirana Gëzim Alimehmeti, i cili ka krijuar katër valle te SH.K.A “ Dardania” në Winterthur, në fjalën e tij tha: “lirisht mund të them se kjo që pamë sonte vërtet ishte një roman i llojit të vetë, dhe jeni për lakmi. Mund të them se të gjithë ne që jemi këtu duhet tu duartrokasim sidomos prindërve që sjellin fëmijët në këtë qendër kulturore, sepse është një sakrificë dhe mund për ta, duke e marrë për bazë kohën, punën dhe obligimet e përditshme…”.
Në vazhdim është interpretuar “Vallja Çame”, nga grupi i të rriturve.
Mes programit këshilli artistik kishte paraparë edhe ndarjen e disa mirënjohjeve, të cilën e bëri kryetari, Shefqet Cakolli. Ai fillimisht ndau mirënjohje për mbështetësit financiarë, duke i falënderuar për kontributin e tyre dhënë traditës dhe kulturës sonë kombëtare.
Ai ka ndarë edhe mirënjohje për të ftuarit dhe figurat kulturore që kishin mbështetur me vite shoqërinë “Dardania”. Mirënjohjet u dhanë për: Sami Pirajn, Dilaver Kryeziun, Visar Munishin, Dr. Dashnim Hebibin, Dr. Femi Cakollin, Nexhat Sahitajn, Rexhep Rifatin, Gëzim Alimehmetin, LVV-ja, pika në Obersse. Mandej kryetari kishte paraparë edhe mirënjohje për kryetarin e qytetit të Winterthurit, Michael Künzle, për ideatorin e vendit në parkun e qytetit të shtatores së Nënë Terezës, z. Jozef Lisibash, -ish qeveritar i qytetit të Winterthurit, si dhe disa subjekteve simotra, si: LAPSH, Shkolla Shqipe e Vallëzimit, Shoqata Bashkimi në Uster, Ansambli Vatra, Ansambli Arbëresha, Ansambli Drita, Shoqata Sharri si dhe mjeshtri i madh, artisti nga Shqipëria, Llesh Nikolla.
Në vazhdim në skenë u ngjit vallja “Dukagjini, nga grupi i vajzave, “Kërcimi i Tropojës”, që hyri edhe në UNESCO, kënga: “Nuse pa duvak” dhe grupi i vajzave të shoqërisë, Dira, Sara, Lejla, Raja dhe Elsa!
“Historia jonë përshkruhet në libra, në gazeta e revista, por edhe në filmime dokumentare. Kësaj here vetë autori i këtij dokumentari Mjeshtri i madh Llesh Nikolla, i dekoruar nga presidenti i Shqipërisë i tha ca fjalë rreth filmit. Ai, mes tjerash foli për përshtypjet e tij dhe për dokumentarin që ishte përzgjedhur nga SH.K.A “DARDANIA” ta bënte në këtë mbrëmje vetëm në sekuenca të shkurtra për shkak të kohës, por që në vijim do të emetohet në RTSH, në një kronikë të zgjeruar.
“Këta artistë në skenë të veshur me kostume popullore, kur këndojnë, vallëzojnë shqip, ata edhe mendojnë shqip, edhe pse 90% e tyre kanë lindur në Zvicër, dhe kjo është një mrekulli, dhe këtë mrekulli na sjellë edhe Dardania. Më besuan të bëj një dokumentar, kryetari dhe jam munduar ta përshkruaj gjithë këtë punë. Dokumentari është i përfunduar dhe do të jetë në kohëzgjatje prej 40 minutash. Posa ta marrim edhe këtë material nga programi i sontëm, do ta plasojmë në Televizioni Shqiptar! .
Pika e fundit, ajo që përmbylli programin artistik ishte vallja e Myzeqesë,
Krejt në fund, kryetari Shefqet Cakolli u ndau mirënjohje edhe anëtarëve të kryesisë dhe pjesëtarëve të tjerë të merituar të shoqërisë “Dardania”, si: Hamit Shillova, Festim Elshani, Arbnore Cakolli, Besnik Ukshini, Festim Sopi, dhe Dhurata Cakolli, kurse Albulena Kqikun e veçoi si moderatore dhe pedagoge, por edhe si koreografe e shumë valleve që ka Dardania në repertorin e saj deri më tani. Në mesin e atyre që morën mirënjohje ishte edhe Hisen Abazi që kishte punuar bashkë me vite për Dardaninë.
Teksti: Shefqet Cakolli,