Blerjen e shitjen e produkteve të ndryshme e bëjnë me dinarë.
Është kjo monedha e cila përdoret në markete, barnatore, e biznese tjera në veri të Kosovës.
Por nga 1 shkurti me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, dinari pritet të ndalohet.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro. Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, thuhet nga BQK.
E ky vendim nuk po u pëlqen qytetarëve serbë në veri të Kosovës.
“Nuk është mirë për popullin, për popullin serb. Një budallallëk i thjeshtë i Kurtit”, shprehet qytetari, Pero Jovanoviç
“Çka po bën? Pse? Le t’i lejoj njerëzit të jetojnë”, thotë një qytetar.
Ndaj rregullores së re të BQK-së, ka reaguar edhe ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill.
“Në këtë fazë të dialogut që ne kemi arritur dhe z.Lajcak ka arritur, surpriza të tilla të panevojshme dhe veprime të njëanshme duhet të shmangen. Ne mendojmë se gjëja më e rëndësishme është themelimi i Asociacionit. Ne duhet të fokusohemi në këtë dhe të shmangin temat që s’janë në interes të përbashkët”, ka thënë ambasadori amerikan.
E këtë çështje e ngriti edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedës me ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien.
“Ç’lidhje ka kjo me ne? A është pjesë e marrëveshjes? Jo, është sulm histerik ndaj popullit serb në Kosovë dhe asgjë tjetër. Ne do të jemi gjithmonë me popullin tonë, do të mundohemi, do të kërkojmë dhe do të gjejmë përgjigje, sado të vështira të ishin dhe sado me forcë të zbatojë dikush gjëra të tilla”, tha ai.
Ndërsa, ditë më parë,zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila thekson se valuta e vetme e lejuar për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme është Euro, nuk është produkt i negociatave politike në Bruksel.
Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë.