Në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, janë hapur dhjetëra konkurse për për punësime në ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore.
Më shumë se 500 administratorë janë duke u kërkuar në shpalljet e publikuara në ditët e fundit të vitit të kaluar dhe në ditët e para të këtij viti, sipas të dhënave të Agjencisë për Administratë.
Opozita akuzon për blerje apo ryshfet parazgjedhor, nga ana tjetër qeveria thotë se ka realisht nevojë për staf të ri në administratën publike.
Nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, në disa raste është kërkuar sqarim se pse punësimet e tilla bëhet pikërisht tani kur deri në shpalljen e qeverisë teknike kanë mbetur pak ditë .
Përgjigjja e tij në vazhdimësi ka qenë se punësimet bëhen varësisht nevojave të institucioneve dhe se ato nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet.
Por, opozita ka pyetur Qeverinë se pse punësimet “e nevojshme” nuk i ka bërë më herët, por pikërisht në këtë periudhë që lë dyshime se pushteti po synon që përmes punësimeve të “shpëtojë nga disfata e thellë në zgjedhje”.
Nga Ministria e Financave thonë se një pjesë e shpalljeve aktuale për punësimin e administratorëve janë për personat që kanë punuar për një kohë të caktuar dhe për të cilët tashmë paguhen paratë dhe kontributet dhe duhet të marrin kontratë për një periudhë të pacaktuar.