Komuniteti i Inteligjencës Amerikane dje kanë publikuar raportin vjetor të vlerësimit të kërcënimeve, dhe kanë paralajmëruar se gjatë vitit 2024 mund të ketë rritje të rrezikut për konflikte ndër-etnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në raport thuhet se politikanët nacionalistë mund t’i përdorin ndasitë etnike për të penguar përparimin e rajonit dhe për të përfituar poenë politikë për vete, shkruan Gazeta Express.
Lidhur me këtë paralajmërim të Inteligjencës amerikane ka folur sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti ka thënë se s’është dallimi etnik që i shkakton konflikte, por sipas tij një gjë të tillë e bën autokracia në Beograd bashkë me lidhjet që ka me Vladimir Putinin.
Kryeministri tutje ka thënë se ka paralajmëruar disa herë që shtetet jo demokratike edhe në rajon janë rrezik për sigurinë dhe paqen. Kurti ka thënë se megjithatë këtë gjë më mirë se SHBA-ja nuk e di askush.
“Konfliktet nuk janë nder-etnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jo demokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm ne lindje të Evropës janë në rrezik për sigurinë dhe paqen por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA nuk mund ta di askush. Ajo çfarë bëjmë ne është që ne përgatitemi maksimalisht atë çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, ka deklaruar Kurti në inaugurimin e Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë.