Raportohet se në një shkollë në Beograd ka ndodhur sot një ngjarje e rëndë – vriten tetë nxënës dhe një roje. Vrasësi i dyshuar është një nxënës 14-vjeçar, përcjell albinfo.ch.
Beogradi është në shkok, pas një ngjarje të tmerrshme që ka ndodhur sot (03.05.2023) në mëngjes në një shkollë atje. Sipas të dhënave të deritanishme, të paktën tetë fëmijë dhe një roje shkolle janë vrarë nga të shtënat në shkollën fillore „Vladislav Ribnikar” në Beograd. Këto të dhëna i ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, e cila bën të ditur se gjashtë fëmijë të tjerë janë plagosur dhe janë dërguar për trajtim urgjent në Qendrën Emergjente
I mituri K. K. (14) i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër është nxënës i kësaj shkolle. Ai është kapur nga policia dhe është arrestuar në oborrin e shkollës. Mediat serbe bëjnë të ditur se është vrarë edhe një mësuese e kësaj shkolle, por kjo akoma nuk është konfirmuar.
Nxënësi i dyshuar për këtë krim ka hyrë në shkollë sot rreth orës 8 të mëngjesit dhe ka vrarë nëntë persona. Fillimisht, ai vrau rojen e shkollës dhe më pas zbriti në korridor për të vazhduar të qëllojë. Pastaj, ai hyri në kabinetin e historisë dhe qëlloi nxënësit dhe mësuesen. „Të gjitha forcat policore janë ende në terren, ku janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave që kanë shkaktuar këtë tragjedi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshmë të Serbisë.
Deri tani nuk dihet asgjë për motivin e vrasjeve të tmerrshme.