Me të vërtetë janë shqetësuese informacionet që kanë paraqitur gazetarë dhe mediume të ndryshme, sipas të cilave kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu ka rrogë 7.500 euro. Edhe më shqetësues është refuzimi i BFI-së si institucion në përgjithësi, apo kryetarit të saj në veçanti, të dalin para opinionit dhe të sqarojnë se a janë të sakta këto informata, ose jo. Nëse është dezinformatë, mund të demantojnë lehtë, duke nxjerrë në shesh të dhënat bankare të reisit Fetahu, sa i përket pagës mujore që e pranon.
Me këtë do të jepej shembull pozitiv transparence, me të cilin besimtarët islamë do të motivoheshin edhe më tepër të kontribuojnë për BFI-në dhe për ngritjen e këtij institucioni. Në të kundërtën, çdo vonesë në sqarimin e këtyre informacioneve, shton dyshimin se informatat për pagën 7.500 euro janë të vërteta.
Mos dhashtë Zoti të jenë të vërteta!
Ne si medium dhe të gjitha mediumet tjera që mbështesin dhe përcjellin punën e BFI-së, jemi të vërshuar me lloj-lloj pyetje nga lexuesit lidhur me pagën e reisit Fetahu. Kryesisht u intereson se çfarë pune mund të bëjë një zyrtar fetar që të meritojë pagë trefish më të madhe se presidenti i shtetit, apo 20 fish më të madhe se paga minimale që e marin qindra mijëra qytetarë. Mes tyre ka edhe të tillë që nga ajo pagë minimale ndajnë një pjesë për të shlyer detyrimin ndaj BFI-së për anëtarësi. Ata janë shembulli pozitiv i shoqërisë sonë, e jo një kryetar i BFI-së që sipas mediumeve ka pagën 7.500 euro.
Madje një nga pyetjet më interesante që kemi marrë nga lexuesit tanë, e që do e përfshijmë edhe në këtë koment, ishte: “Çka i duhet një njeriu të përkushtuar te Zoti pagë prej 7.500 euro, ku i harxhon dhe pse i harxhon, kur detyra e tij është të jetë tërë kohën afër Zotit dhe besimtarëve?”.
Me të vërtetë pyetje interesante që në la pa përgjigje. Si t’i përgjigjemi pyetjes së këtij lexuesi, përveç se ti themi që pyetja e tij është me vend. Me të vërtetë ku mund t’i harxhon aq shumë para që (sipas detyrës që ka) nuk guxon të pin alkool, të luaj kumar, të shkojë në ahengje e nëpër muzika live? Vërtetë është vështirë të gjindet përgjigje.
E përgjigje nuk ka as nga BFI, e as nga kryetari i saj Shaqir Fetahu lidhur me lartësinë e pagës së tij. Zhurnal ka dërguar katër pyetje në adresë të tyre, por ende nuk kemi përgjigje.
Ja pyetjet në vijim:
Të nderuar
Agjencia e Lajmeve Zhurnal, për nevojat e temës që jemi duke e trajtuar në funksion të Projektit për rritje të transparencës së institucioneve, u dërgon këto pyetje:
- Sa është paga mujore e kryetarit të BFI-së, Shaqir Fetahu?
- A është e saktë se për punën e tij të palodhshme kryetari Fetahu mer pagë mujore në vlerë 7.500 euro?
- A i bëhet me vonesë paga mujore kryetarit të BFI-së, Fetahu?
- Sa është paga mujore e imamëve dhe hatibëve të xhamive dhe sa muaj u vonohet atyre paga?
Janë pyetje që kanë të bëjnë me projekt për rritjen e transparencës në institucione, por mbi të gjitha janë pyetje për të cilat duhet t’i jepet përgjigje opinionit. Sa më herët të vijnë përgjigjet, aq më mirë për kreun e BFI-së. Qoftë edhe nëse është e vërtetë se ka marë pagë 7.500 euro, mund të kërkojë “hallallëk” dhe të kthejë një pjesë të parave të mara në arkën e BFI-së. E sa më shumë të vonohen përgjigjet, aq më vështirë do të jetë për kreun e BFI-së të qëndrojë në postin që e ka, sepse revolta do të akumulohet. Revolta është e qartë edhe tek besimtarët edhe tek strukturat e BFI-së.
As të parët, as të dytët nuk meritojnë të udhëhiqen nga një kryetar i izoluar, që siç shkruajnë mediat dhe gazetarët, i cakton vetvetes pagë të majme, që nuk përputhet as me gjendjen financiare në BFI, e as me realitetin ekonomik në vend!