Presidenti bullgar Rumen Radev beson se zgjidhja e problemeve në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut qëndron në zbatimin e kritereve të Kopenhagës për anëtarësim në BE dhe në respektimin e të drejtave të njeriut.
Ai theksoi se Bullgaria ka qenë gjithmonë shtytëse e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Radev për agjencinë shtetërore greke të lajmeve “ANA-MPA” tha se “nuk ka më nevojë të flitet për veto bullgare, sepse ka një përfundim të qartë të Këshillit Evropian nga korriku i kaluar dhe një kornizë negociuese për të cilën është rënë dakord”.
“Këto kërkesa evropiane, jo bullgare, tregojnë qartë se RMV duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj për t’u dhënë bullgarëve mundësinë të kenë mbrojtje kushtetuese dhe të drejta të barabarta duke u përfshirë në baza të barabarta me kombet e tjera shtetformuese në këtë vend”, theksoi ai.
Radev edhe njëherë bëri thirrje që të largohet gjuha e urrejtjes dhe sulmi mbi bullgarët të cilët jetojnë në Maqedoninë e Veriut.