Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ka publikuar borxhlinjtë më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për kompani, ndërmarrje publike dhe persona fizikë që i kanë borxh shtetit 164.3 milionë euro detyrime tatimore. Sipas DAP, 1857 kompani dhe 3716 qytetarë nuk i kanë të shlyer tatimet ndaj shtetit.
Numri është rritur për të dyja kategoritë e debitorëve – për të parët me 25, dhe për të dytin me 74. DAP ka publikuar listën e të gjithë atyre që borxhet e tyre duhet të arkëtohen deri më 30 shtator, por nuk janë paguar nga fundi i vitit 2023. . Në mesin e tyre janë edhe ndërmarrjet publike.
Fjala është për obligimet e papaguara në bazë të TVSH-së, tatimit në fitim, tatimit në të ardhura personale, kontributeve nga sigurimet e detyrueshme shoqërore, akciza dhe dogana. Nëse e shikoni listën e borxhlinjve, do të shihni se aty ka edhe biznese që kanë pasuri milionëshe. Deri sa ata tolerohen për borxhet që kanë, përmbaruesit ua marrin qytetarëve një të tretën e pagës për shkak të borxheve të grumbulluara dhe kamatës ndëshkuese, shkruan Zhurnal. Bëhet fjalë kryesisht për borxhe që kanë të bëjnë me sigurimin e kushteve elementare për jetë, siç është për shembull borxhi për energjinë elektrike. Madje borxhi fillestar rritet deri në dhjetëfish duke i bë qytetarët borxhlinj të përjetshëm. Deri tani ka pasur iniciativa të herpashershme të ndërpitet dukuria e “borxhit të përjetshëm” tek përmbaruesit, por si duket ato kanë qenë për nevoja ditore dhe jo me qëllim serioz.
Edhe Avokati i Popullit Naser Ziberi para një viti e tepër deponoi iniciativë në Qeveri për ndryshime ligjore që mes tjerash parasheh kamata ndëshkuese të ndalojë të rrjedhë kur shuma e interesit të arritur do të arrijë shumën e borxhit kryesor, por deri sot asgjë.
“Në Ligjin mbi Marrëdhëniet Detyrimore të shtohet një nen i ri në të cilin do të thuhet: Interesi ndëshkues do të ndalojë të rrjedhë kur shuma e interesit të arritur ndërsa të papaguar do ta arrijë shumën e borxhit kryesor, ndërsa në Ligjin mbi Përmbarimin gjithashtu të shtohet një nen i ri ku thuhet: Gjatë procedurës së përmbarimit kur shuma e interesit të arritur ndërsa të papaguar do e arrijë borxhin kryesor, përmbaruesi do të ndalojë me llogaritjen dhe arkëtimin edhe të interesit ndëshkues ligjor”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit që në tetor të vitit 2022.
Ai i pat vlerësuar si të nevojshme këto ndryshime sepse qytetarët nuk mund të lirohen nga borxhet të cilat i kanë, pasi nuk janë në gjendje që përnjëherë të bëjnë pagesën e borxheve. “Kjo në fakt i shndërron qytetarët në debitor të përjetshëm, në robër të kamatave dhe interesave para përmbaruesve”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Kjo iniciativë ka kaluar në harresë, prandaj edhe ishte dyshimi që e shprehëm pak më lart se mud të mos ketë qenë fare serioze, por vetëm sa për të plotësuar ndonjë vakum ngjarjesh, apo të mos themi për politikë ditore, shkruan Zhurnal. E ndërkohë vazhdon edhe dukuria kur qytetarët shpesh herë nuk janë të informuar në lidhje me inicimin e procedurave për përmbarim, për lartësinë e borxhit dhe për shumën kamatave dhe shpenzimeve të llogaritura, për konfiskimin e mjeteve të cilat sipas ligjit për përmbarim janë të përjashtuara ose të kufizuara, për parregullsi në dorëzimin e padive dhe urdhrave të përmbarimit dhe për bllokimin e llogarive të transaksionit në bankë.
Nëse meret parasysh gjendja ekonomike e borxhlinjve, ata thuajse asnjëherë nuk janë në gjendje të sigurojnë mjete të mjaftueshme që ta mbyllin borxhin për njëherë ndaj kreditorit, përfshirë këtu edhe shpenzimet në noter dhe avokatë e kështu me radhë. Vijnë në situatë që në mënyrë permanente, gjithë jetës të jenë borxhlinj. Gjithsesi të paguajnë këste gjithë jetën dhe asnjëherë të mos lirohen nga kjo.
Deri tani Kuvendi një herë ka shfaqur vullnet në vitin 2020 kur bëri ndryshime në Ligjin për marrëdhënie obligative, ku rregullohen kamatat edhe në Ligjin për përmbarim dhe atëherë u limitua kamata.
Ndryshe, për çdo vit në zyrën e Avokatit të popullit arrijnë mbi 400 ankesa nga fusha e drejtësisë, ndërkaq rreth gjysma e tyre janë për punën e përmbaruesve.
Qytetarët në shumë raste kanë protestuar kundër përmbaruesve, e madje kanë thënë se të afërmit e tyre janë kërcënuar e frikësuar nëse nuk i paguajnë borxhet ndaj përmbaruesve.
Ata vazhdimisht kërkojnë nga autoritetet që të përfundojë përmbarimi ilegal për shkak se, siç thonë ata, s’kanë para as për bukë. “Dëshironin të më frikësojnë, por kjo nuk do të ndodhë. E them publikisht se më kërcënoi bashkëshorti i një gjykatëse, por unë nga këtu mund të them se edhe unë mund ta frikësoj me fëmijën e tij”, tha një qytetare anketuar.
“Pas 2 viteve më nxorën një borxh prej 2.600 denarë dhe tani duhet të paguaj 60.000, a është kjo korrekte? Nuk mund të punoj, kam dy brinjë të thyer dhe me paratë që i marr nuk mund të paguaj as borxhet, e jo përmbaruesit”.
“Njëri më mori 6.000 denarë, tjetri 3.000 denarë, ndërsa pensioni im është 9.000 denarë dhe më mbesin vetëm 50 denarë. Çfarë t’i jap fëmijës, çfarë mund të blihet me 50 denarë”, tha një e dëmtuar tjetër./Zhurnal
Më në fund një lajm i mirë për “viktimat” e përmbaruesve
E deri sa po pëgatitnim këtë koment, nga Gjykata Kushtetuese më në fund erdhi një lajm i gëzueshëm lidhur me “viktimat” e përmbaruesve. Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e përmbaruesve që borxhe të caktuara të mos vjetrohen.