Ishte duke qëndruar në një lokal në Bogovinë, kur 47-vjeçari me iniciale A.Xh u qëllua për vrasje. I dyshuar për kryerjen e krimit është bashkëfshatari i tij me iniciale M.M. 50 vjeç, i cili tashmë është arrestuar nga policia.
“47 vjeçar nga Bogovina ka mbetur i vrarë në lokacioni prapa meje nga i dyshuari M.M 50 vjeç nga i njëjti fshat. I dyshuari është arrestuar në Tetovë në rrugën “Cvetan Dimov” nga pjesëtarë të SPB Tetovë derisa ka qenë në lëvizje me një automjet të tipit BMW. Më pas në automjet është gjetur edhe arma e krimit. I njëjti për momentin po mbahet në stacionin policor, ndërsa në vendin e ngjarjes janë ekipet e SPB Tetovë dhe prokuroria e Tetovës”, raporton Senat Zylberhari, gazetar i TV21.
Prokuroria konfirmoi se kryerësi i veprës është identifikuar dhe arrestuar, ndërsa i është gjetur edhe arma e krimit.
“Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur në objekt hotelierik në të cilin në atë moment ka pasur edhe persona të tjerë. I dyshuari dhe viktima kanë pasur zënkë verbale, pas çka kryerësi e ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka nisur të qëllojë”, thonë nga Prokuroria.
Prokurori ka dhënë urdhër për obduksion të trupit të të ndjerit, si dhe urdhër për mbledhje të dëshmive nga vendi i ngjarjes. Po ashtu do të bëhen edhe biseda me dëshmitarët e ngjarjes dhe persona të tjerë.