Tuesday, October 1, 2024
spot_img
BallinaLajmeProtesta kundër hidrocentralit u përshkallëzua në përleshje me policinë

Protesta kundër hidrocentralit u përshkallëzua në përleshje me policinë

Banorët e fshatrave Soponicë dhe Doganaj të Komunës së Kaçanikut janë përfshirë në një përleshje fizike me policinë. Situata përshkallëzoi gjatë protestës së tyre për të kundërshtuar ndërtimin e një tjetër hidrocentrali në lumin Lepenc

Protesta nisi qetë, por me ndezjen e ekskavatorit u ndez edhe situata, të martën në mëngjes. Banorët e fshatrave Soponicë dhe Doganaj të Komunës së Kaçanikut e kundërshtuan nisjen e ndërtimit të hidrocentralit në lumin Lepenc.

Kundërshtia e tyre çoi edhe në përleshje me forcat e rendit.

Banori Hasan Dolloshi ka thënë se nuk do ta lejojnë ndërtimin e këtij hidrocentrali në asnjë mënyrë.

“Ne kemi jetë këtu, kemi luftuar që ta kemi vendin të lirë, në këtë vend kemi kujtime të gjithë të fëmijërisë. Është këtu Gjiri i Dolloshëve, Dellushes, Sllatines të gjitha këto vende kanë emra që jemi freskuar ne fëmijët e lagjes, këta po duan t’i shkatërrojnë këto kujtime”, ka thënë Hasan Dalloshi.

E Kushtrim Dalloshi ka thënë se puna duhet të ndalet medoemos. Sipas tij, lumi nuk mund të degradohet për përfitime të individëve.

“Nëse nipi më qan mua për këtë lumë, nuk më duhet asgjë tjetër. Për çka ka luftua kjo popullatë për përfitimin e dy ose tre personave a? Ne do të rezistojmë deri në mundësinë e fundit, deri të shteret çdo formë demokratike për ta kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit këtu”, u shpreh Kushtrim Dalloshi.

Në protestë pati banorë që thanë se edhe jetën do të japin në mbrojtje të lumit.

“Unë do të pushkatohem këtu, jam ai që e kam përjetuar Burgun e Dubravës, nuk jam mërzitur atë ditë nuk jam mërzitë sikurse sot. E di që do të vdes për fëmijët e fshatit Soponicë. Nuk është Saharë ky vend, nuk do ta lejojmë”, ka deklaruar Fadil Dalloshi.

Banorët e kësaj zone tash e tre vjet protestojnë për të parandaluar ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lepenc.

Sipas tyre, ata nuk kanë qenë pjesë e debateve që i ka organizuar kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, në lidhje me hidrocentralin.

Përveç këtij hidrocentrali, në këtë lumë tashmë janë ndërtuar gjashtë të tjerë ose janë në proces.

Zëvendësministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Zogiani, i ka vizituar gjatë ditës së martë banorët, të cilëve iu ka premtuar ndërprerje të punimeve deri në një afat të pacaktuar. KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga Zogiani, mirëpo ai ishte i paqasshëm.

Policia sherrin me banorët e ka cilësuar si tentim-sulmi ndaj shoferit të ekskavatorit. Kanun Veseli, zëdhënës për rajonin e Ferizajt, ka thënë se nuk ka asnjë të ndaluar për rastin.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit