Propozimi për shkarkimin e prokurorit publik shtetëror, Ljupço Kocevski, do të shqyrtohet nesër në mbledhjen e Qeverisë, pas së cilës do t’i dërgohet Këshillit të Prokurorëve Publikë.
“Në mbledhjen e nesërme të Qeverisë do të shqyrtohet mendimi i dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë, pas së cilës, në përputhje me detyrimet ligjore, ai do t’i dërgohet Këshillit të Prokurorëve Publikë. Si qeveri, do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa për përmirësimin e funksionimit të sistemit gjyqësor. Besimi i qytetarëve është dëmtuar seriozisht dhe për këtë arsye jemi të përkushtuar fuqimisht që më në fund të sundojë drejtësia dhe të kemi një shtet ligjor,” thuhet në njoftimin e shërbimit për shtyp të Qeverisë.
Ministria e Drejtësisë përgatiti një mendim për shkarkimin e tij në përputhje me ligjin, pas mbledhjes së Qeverisë më 11 shkurt. Përfaqësues të Qeverisë theksojnë se besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor është dëmtuar dhe se është e nevojshme të përmirësohet funksionimi i shtetit ligjor.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, Kocevski ka vepruar në çështje ku ka pasur dyshime për paanshmëri dhe konflikt interesi, të cilat ai është dashur t’i identifikojë dhe të tërhiqet prej tyre.
Qeveria shpreh zhgënjim për veprimet jashtë kompetencave ligjore, të cilat kanë çuar në humbjen e besimit dhe në mosfunksionimin e shtetit të së drejtës. Kocevski u zgjodh një vit më parë, por Qeveria kërkon ndërprerjen e mandatit të tij për shkak të emërimit të paligjshëm të ushtruesit të detyrës në Prokurorinë e Lartë Publike.
Nga ana tjetër, Kocevski mohon akuzat, duke pretenduar se ka vepruar në përputhje me ligjin.