Prokuroria Themelore Publike në Strugë kundër kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko, ka ngritur aktakuzë për veprën penale – Punë e papërgjegjshme në shërbim sipas nenit 353-v paragrafi 1 nga Kodi Penal, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ai dyshohet se ka shkelur ligjin gjatë emërimit të një drejtori në shkollën fillore në Labunishtë.
“I akuzuari, si zyrtar – kryetar i komunës së Strugës, më 31 janar 2022, me dashje ka shkelur dispozitat ligjore për veprim të ndërgjegjshëm me rastin e emërimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit në një shkollë fillore komunale në fshatin Labunishtë. Gjegjësisht, ka marrë vendim dhe për ushtrues detyre ka emëruar një person i cili nuk ka qenë nga radhët e punëtorëve, siç parashikohet në nenin 118 të Ligjit për Arsimin Fillor, dhe nuk ka pasur përvojë adekuate të punës në punë edukativo-arsimore, siç parashihet në nenin 109 të Ligjit. Kështu, i akuzuari ka bërë të mundur që personi të emërohet në detyrë dhe t’i paguhet paga si ushtrues detyre drejtor për 19 muaj, me çka i ka shkaktuar shkollës dëm në shumën totale të pagave dhe kontributeve, të paguara pa bazë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.