Ndonëse rasti i ‘Veteranëve’ është kthyer në rigjykim që nga 24 marsi i vitit 2022, deri më sot nuk është mbajtur asnjë seancë për shqyrtim gjyqësor.
Apeli kishte prishur aktgjykimin lirues të departamentit special për rastin e “Veteranëve” vendim ky i cili kthen edhe njëherë në bankën e të akuzuarve anëtarët e Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së.
I njëjti proces ishte paraparë të mbahet sot, por i njëjti është anuluar, për t`u caktuar 28 shtatori si datë kur pritet të filloj rigjykimi për këtë rast.
Arsyeja e anulimit të seacnës gjyqësore del të jetë udhëtimi zyrtar i prokurorit të çështjes për këtë rast.
Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari me vendimin e Gjykatës së Apelit pritet të gjykohen edhe njëherë të njëjtat akuza.
Që nga kthimi në rigjykim për këtë rast ishin caktuar disa seanca, të njëjtat nuk ishin mbajtur. E arsyet për mos mbajte të seancave ishin nga më të ndryshmet.
16 dhjetori i vitit që lam pas, ishte caktuar si datë kur do të startonte rigjykimi për këtë rast.
Kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri, në atë seancë i kishte dhënë afat prej 60 ditësh prokurorisë për të ndjekur këto rekomandime të Apelit.
“Me aktvendim të Gjykatës së Apelit, ky rast është kthyer në rigjykim, me disa udhëzime e rekomandime, kështu obligojë prokurorinë që të ndërmarrë këto veprime në afat prej 60 ditësh” – tha kryetari i trupit gjykues.
Prokuroria në anën tjetër kishte deklaruar se i ka të qarta rekomandimet e Apelit, e që do të mundohet që të veprojnë në këtë afat të caktuar nga gjykata.
Tutje, seanca e datës 15 mars të këtij viti përsëri nuk ishte mbajtur, këtë herë pas kërkesës së prokurorisë për afat shtesë për plotësimin e aktakuzës.
Në këto rrethana si seancë e radhës ishte caktuar 15 qershori i këtij viti për fillimin e rigjykimit.
Gjyqtari Gazmend Bahtiri në atë seancë kishte njoftuar se për mungesën e Musës nuk ishte njoftuar as Gjykata.
Gjithashtu në po të njëjtën seancë të akuzuarit, Halitjaga, Buja, Daku, Fazliu e Jashari paraprakisht nuk kishin angazhuar mbrojtës ashtu siç parashihet me kodin e ri të procedurës penale që mbrojta është e detyrueshme për veprat penale të dënueshme me mbi pesë vite burgim.
Në këto rrethana seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet me datën 18 shtator të këtij viti.
Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për tu gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.
Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, me në krye Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.
Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.
Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.
Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.
Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.
“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj