Policia e Kosovës përmes një sqarimi për media ka reaguar lidhur me disa shkrime që janë publikuar në media e në portale ku është folur lidhur me kompetencat e Njësisë Speciale Intervenuese.
Policia ka thënë se reagimi i tyre është bërë me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar duke iu referuar disa shkrimeve të publikuara në media-portale të ndryshme, ku thuhet se kinse Qeveria e Kosovës, i heq disa nga kompetencat e Njësisë Speciale Intervenuese.
Në këtë sqarim thuhet se të gjitha autorizimet policore janë të përcaktuara me ligj dhe akte tjera normative të cilat në vija të përgjithshme përshkruajnë organizimin dhe strukturimin e brendshëm policorë, përderisa detyrat specifike të punonjësve sipas pozitave, përfshirë Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese, janë të rregulluara me përshkrim të detyrave dhe përgjegjësive të vendit të punës, autorizime dhe detyra këto të cilat kanë qenë dhe mbesin të pa ndryshuara.
Tutje u tha se bazuar në strukturën organizative të Policisë së Kosovës e ndryshuar dhe miratuar vitin e kaluar, njësive speciale i është kushtuar rëndësi e veçantë.
Policia tha se kjo njësi është ngritur nga Divizion i Njësive Speciale, tani në Departament të Njësive Speciale, përfshirë këtu edhe avancimin e NJSI-së nga Njësi në nivel të Drejtorisë.
Në reagim u shtua se PK mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të zhvillimit, avancimit dhe ngritjes profesionale të të gjitha njësive policore, me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe vendit.