Në Baden të Austrisë do të hapet ekspozitë personale nga Mentor Berisha në adresen Theater am Steg, Johannesgasse 14, 2500 Baden, shkruan albinfo.at.
Data e hapjes bëhet të mërkurën, më 20.09, në orën 19:00, ndërsa datat e ekspozitës: e mërkurë 20.09 – e diel 01.10.2023.
„Solidariteti si rezistencë“, është cikli i punimeve të Mentor Berishës, të realizuara gjatë viteve të fundit në pikturë, dhe ka për fokus temën e sensibilizimit të grupeve të ndryshme sociale-kulturore, përgjatë viteve 90-ta në Kosovë.
Ky cikël përmban motive nga „Falja e gjaqeve“, të shumë familjeve tradicionale shqiptare, aksion i pajtimit gjithëpopullor si akt kundër së keqes (gjakmarrja), i nisur nga një grup intelektualësh të udhëhequr nga prof. Anton Çetta, si dhe „Greva e Minatorëve të Minierës së Trepçës“, si akt solidar i punëtorëve shqiptarë kundër regjimit të atëhershëm, që rezultoi më vonë me largimin e tyre nga puna, duke thyer çfarëdo konvente ndërkombëtare mbi organizimin sindikal.
Në motivet e këtyre cikleve gjendet një histori kulturore e trashëgimisë kosovare, që përmes laboratorit krijues artistik rigjejnë rrugën e kthimit në kohën tonë. Ato na rishfaqen si arketipe identitare përmes një stili mjaft të veçantë, siç është ekspresionizemi modern, ku pikturat shprehin më tepër se anën e tyre dydimensionale. Mentor Berisha, në këtë cikël përdor një teknikë të veçantë, `spachtel`, duke pikturuar `Alla Prima`; piktura që manifestojnë një strukturë plastike pikturimi që dalin nga tehu elastik përbrenda e paralelisht me sipërfaqen e kanavacës. Në të krijohen thellësi figuracionesh që kanë avantazhin e dimensionit të tretë – e që mundësohet nga ndikimi i efektit të dritës, e ku vende-vende shtresat e trasha krijojnë korrespondencë me skulpturën.
Mentor Berisha është i njohur për përmbajtjen dhe kompozicionin shprehës drejt një rregulli të ri imazhor me nuanca të Ekspresionizmit modern në pikturë, për forcën e thekshme në përzgjedhjen e ngjyrave, vendosjen specifike të dritës në copëza subimazhesh, përmes një praxis-i më të lirë e të hapur çastësor.