Edhe këtë javë si çdo të premte, opozita ka dalë në protestë para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në këtë protestë bie në sy fakti se protestuesit kanë marrë me vete goma të vjetra, të cilave u është vënë flaka para bashkisë, ndërsa mungon gardhi metalik që i ndan nga kordoni i policisë.
Këshilltari demokrat Dorian Teliti në fjalën e tij bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 11 korrikut, ku nënvizoi se nga PD do të kërkohet qeveria teknike.
“Ju falënderoj për këtë protestë në këtë shesh lirie para godinës së korrupsionit . Godinë e cila po shkërmoqet diata ditës nga forca e rezistencës qytetare. Rezistence e cila po nxjerr ne pah të gjitha abuzimet, të gjitha shkeljet, të gjithë vjedhjet që kryetari i Bashkisë bashkë me ekipin e tij kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë ende deri sot. Tirana nuk ka vend për hajdutët. Tirana nuk ka vend për abuzuesit, Tirana nuk ka vend për shkelësit e Ligjit. Tirana ka vend për qytetarinë, ka vend për ndershmërinë . Dhe këta policë ti thërrasin mendjes së këtu jashtë janë qytetarët e vjedhur e brenda janë kriminelët dhe hajdutët. Pak ditë na ndajnë nga 11 korriku ku e gjithë Shqipëria do të mbushin bulevardin Dëshmorët e Kombit për të dhënë një mesazh të qartë dhe të fortë të qëndrueshëm që Tirana e gjithë Shqipëria nuk e do me këtë qeverisje dhe e vetmja rrugë është krijimi i një qeverie teknike për zgjedhje te lira dhe të ndershme.”
Para protestuesve ka folur edhe aktori i njohur Mehdi Malka, i cili ka shprehur revoltën kundër vjedhjeve dhe skandaleve me tenderët ku janë përfshirë zyrtarë të bashkisë së Tiranës.
Ai ka kërkuar reagim qytetar dhe protesta të fuqishme. “Unë do të futem aty mes policëve që të çaj kordonin policor. Të jeni të sigurt që unë nuk rrah dot njeri dhe po më rrahën do tu mbetëm në dorë. Jemi shume keq me moralin. Jemi shumë keq me arsimin dhe shumë keq me shëndetësinë, këto ishin pikat kryesore që ky i shkëlqyeri na premtojë në vitin 2013. Po përse nuk del njeri për këto që të protestojë pasi ka gënjyer të tërë popullin mbarë.”