Çdo hulumtim vërteton dhe konfirmon atë që thuhet dhe shihet ndër vite se shqiptarët nuk gëzojnë të drejta të barabarta në vend, dhe si pasojë e këtij diskriminimi janë të detyruar që shpresë dhe oksigjen mbijetese të kenë ndihmën sociale. Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA ka publikuar hulumtimin e fundit në të cilin janë nxjerrë të dhëna tmerruese ku numri më i madh i qytetarëve që pranojnë ndihmë sociale janë shqiptarët dhe romët. Përderisa maqedonasit me një deklaratë të thjesht ndryshojnë përkatësinë e tyre etnike dhe në vendet e rezervuara për shqiptarë punësohen maqedonasit, shqiptarët vazhdojnë të kryesojnë në listat e “lëmoshës” së shtetit. Këto të dhëna pasqyrojnë qartazi trajtimin e këtij “shteti shumetnik” në raport me etnitetet tjera. Diskriminojnë, penalizojnë dhe pengojnë në çdo formë progresin e qytetarëve tjerë dhe pastaj solidarizohen me ndihmë sociale. Shqiptarët janë rrahur, vazhdojnë të flenë burgjeve padrejtësisht, dhe janë në numër më të madh marrës të ndihmave sociale. Nuk duhet të flitet më shumë në këtë drejtim sepse këto fakte flasin si për gjendjen sociale ngjashëm edhe për trajtimin në fusha tjera se sa shumetnik është ky shtet, shkruan Zhurnal.
Shqiptarët dhe romët të parët në radhë për të marrë ndihmat sociale –
Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA ka publikuar hulumtimin e fundit ku ka analizuar numrin e pranuesve të ndihmës sociale sipas rajoneve dhe komunave në nivel të rajoneve dhe me fokus të veçantë rajonin e Shkupit. Rezultatet e analizës tregojnë një nivel të lartë të pabarazisë etnike. Kjo pabarazi vërehet qartë si nga dallimi në mes rajoneve në numrin e përgjithshëm të familjeve në asistencë sociale, po ashtu edhe nga numri i pranuesve të ndihmës sociale brenda rajonin e Shkupit.
“Sa i përket rajoneve, rajoni me më së shumti familje pranuese të ndihmës sociale është rajoni i Shkupit me gjithësej 8,668 familje, pasuar nga rajoni i Pollogut me 5,895 familje, të cilat janë rajone ose me shumicë shqiptare ose me numër të konsiderueshëm të shqiptarëve dhe romëve. Rajonet me më së paku familje pranuese të ndihmës sociale janë rajoni Lindor me gjithsej 2507 familje si dhe rajoni i Vardarit me 2,712 familje, të cilët në përgjithësi janë të banuar me popullsi maqedon.
Sa i përket rajonit të shkupit, dallimi në mes etnive është jashtëzakonisht i madh. Edhe pse shqiptarët përbëjnë vetëm 25.21% të totalit të popullsisë së 17 komunave të rajonit të Shkupit, ato përbëjnë 61.36% të familjeve të cilët marrin ndihmë sociale në këto 17 komuna. Një disbalanc i theksuar shihet edhe tek popullsia rome, e cila edhe pse vetëm 3.15% e popullsisë totale, përbën 25.32% të familjeve të cilët marrin ndihmë sociale në komunat e rajonit së Shkupit. Në anën tjetër, disbalanc i kundërt vërehet me popullsinë e etnisë maqedone, e cila edhe pse përbën 56.08% të popullsisë totale, ajo përbën vetëm 9% të familjeve të cilat marrin ndihmë sociale”, sqarojnë nga ky Institut.
Brenda rajonit të Shkupit, siç tregojnë studimet tre komunat me më së shumti pranues të ndihmës sociale janë komuna e Shuto Orizares me 2,189 pranues (22.71% nga totali i rajonit të Shkupit), komuna e Çairit me 2,027 pranues (20.94% nga totali) dhe komuna e Sarajit me 1,055 pranues ( apo 10.90% nga totali). Pra, vetëm këta 3 komuna përbëjnë 54% të numrit të përgjithshëm të pranuesve të ndihmës sociale në rajonin e Shkupit, ndërsa së bashku me komunën e Studeniçanit përbëjnë 64% të numrit të tërësishëm të pranuesve. Në anën tjetër, 3 komunat me më së paku numër total të pranuesve të ndihmës sociale janë komuna e Zelenikovës me 55 pranues, ajo e Ilindenit me 71 pranues si dhe ajo e Sopishtes me 74 pranues.
Instituti IDEA rekomandon studime më të detajuara në këtë sferë si dhe masa më konkrete me të cilat do të zbutej kjo pabarazi në pasigurinë financiare të familjeve të etniteteve në Maqedoninë e Veriut.
Shqiptarët me ndihmë sociale, maqedonasit punësohen në vendet e punës të rezervuara për shqiptarë –
Nëse para disa viteve ka qenë problem garantimi i një vendi pune për një shqiptarë, tani më kjo çështje ishte rregulluar me Marrëveshjen e Ohrit, konkretisht ligjin e Balancuesit. Por, sërish shqiptarët therrë në sy për maqedonasit, edhe pse janë të pakta ato vende pune të rezervuar për shqiptarët në kuadër të këtij ligji, ka pasur shumë raste që maqedonasit ndryshojnë identitet në letra vetëm për tu punësuar në atë vend të caktuar për një shqiptarë.
Rasti i fundit ka ndodhë në Kumanovë ku janë punësuar 8 maqedonas në vendet e punës të rezervuara për shqiptarët, ajo çfarë kanë bërë është e thjeshtë vetëm janë deklaruar shqiptarë. I ngjashëm ishte rasti edhe te Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim rural është institucioni i cili ka bërë keqpërdorim të këtij ligji që në vendin e lirë të punës sipas ligjit të caktuar për një shqiptarë kanë punësuar një maqedonase. Raste të tilla ka shumë, prandaj shqiptarët vazhdojnë ende të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, që më shpesh shpërfillen se sa përfillen.
Ndryshe, kjo është dëshmi që shqiptarët ndjehen të diskriminuar në gjitha instancat dhe në gjitha mënyrat e mundshme, dhe kjo pastaj shkakton dëshpërim e zhgënjim dhe përkthehet me largim prej vendi. Sepse, nëse në të njëjtën kohë gjendja financiare e shumë shqiptarëve është e bazuar vetëm te ndihma sociale, të mos kenë asnjë anëtarë të punësuar dhe në anën tjetër në emër të shqiptarëve të punësohen maqedonas, kjo është padrejtësi e madhe që nuk kalon pa ndëshkim.