Mjekët amë nga shëndetësia private thonë se janë të tmerruar nga rasti ku kolegu i tyre u gjet i vdekur me plagë me thikë në trup në një parking pranë poliklinikës “Hekurana” mbrëmë vonë. Në shenjë revolte, Shoqata e mjekëve privatë amë njoftoi se të hënën nuk do të punojnë nga ora 12:00 deri në orën 16:00, transmeton Portalb.mk.
“Ne jemi të tmerruar nga ky akt i urryer. Bëhet fjalë për kolegun dhe profesionistin tonë që gjithë jetën ia ka kushtuar punës. Ajo që duhet të thotë kjo është se ne duhet të kemi frikë se dikush që nuk është i kënaqur me punën tonë për ndonjë arsye dhe pas orarit të punës mund të hyjë në jetën tonë. Ne do të shprehim revoltën tonë dhe të hënën nga ora 12:00 deri në ora 16:00 nuk do të punojmë”, tha për MIA, kryetarja e Shoqatës së mjekëve privatë të familjes, Lidija Çolakova-Dervishova.
Ajo thotë se është e nevojshme të miratohet një ligj për veprimtarinë mjekësore që do të mbrojë punën e mjekëve.
“Ne jemi vërtet të indinjuar dhe të tmerruar nga ky akt”, thotë Çolakova-Dervishova.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije për agjencinë shtetërore të lajmeve se mjeku që u godit me thikë nuk ishte punonjës i poliklinikës “Hekurana”, por kishte një ordinancë private të lëshuar me koncesion.
Dënim të ashpër për vrasjen e mjekut ka ardhur edhe nga Oda e Mjekëve, nga ku me anë të një njoftimi në rrjetet sociale thonë se ngjarja ka shkaktuar ankth të fortë te komuniteti mjekësor.
Nga aty theksojnë se asnjë lloj dhune në shoqëri nuk duhet toleruar dhe kërkojnë nga institucionet kompetente që urgjentisht të marrin të gjitha masat dhe të përcaktojnë rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja dhe në përputhje me rrethanat të zbulohet dhe sanksionohet autori.
“Humbja e jetës njerëzore është gjithmonë e vështirë, por tragjedia është shumë më e madhe kur bëhet në mënyrë të dhunshme. Humbja e mjekut është humbje edhe për të gjithë sistemin shëndetësor. Oda e Mjekëve shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit dhe mbetet vigjilente për të monitoruar zhvillimin e ngjarjeve dhe për të reaguar në përputhje me rrethanat”, thuhet në njoftimin e Odës së Mjekëve të publikuar në profilin e tyre në Facebook.
Siç u njoftua sot në mëngjes, një mjek amë është vrarë me thikë në afërsi të Poliklinikës Hekurana. Lajmi është njoftuar nga Prokuroria, por edhe është konfirmuar nga Ministria e Brendshme për mediat maqedonase.
“Me datë 21.03.2024 në ora 23:09 në SPB Shkup është raportuar se A.T.(67) nga Shkupi, është gjetur e plagë me thirrë në trup në automjetin e tij “Kia” me targa të Shkupit, në parkingun përballë ish-klinikës Hekurana. Sipas njoftimit, ai është gjetur nga djemtë e tij, të cilët kanë nisur ta kërkojnë pasi ai nuk është kthyer nga puna në shtëpi. Mjeku i Emergjencave Mjekësore ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar për obduksion. Po merren masa për zbardhjen e rastit”.
Sulmi ndaj tij është kryer para spitalit privat Remedika.
Për momentin nuk dihet se kush qëndron pas vrasjes, por policia po punon për zbardhjen e rastit.
Trupi i të ndjerit është gjetur nga djali i tij.
Prokurori publik ka lëshuar urdhër për obduksion, si dhe urdhër për grumbullimin dhe analizimin e të gjitha gjurmëve të gjetura në vendngjarje dhe sigurimin e pamjeve të video vëzhguese.
Po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes.