Pas reagimit të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal lidhur me situatën e krijuar në veri të Republikës së Kosovës, sot ka reaguar kryetari i Lëvizjes Besa, Biall Kasami i cili shkruan se Kosova është shtet i pavarur dhe duhet ta shtrijë juridiksionin e vetë në gjithë territorin.
“Kosova është shtet i pavarur dhe duhet ta shtrijë juridiksionin e vetë në gjithë territorin. Sovraniteti territorial nënkupton respektim të ligjeve në çdo cep të shtetit, pra edhe në veri të Kosovës, në komunat ku ka kryetar komunash që janë zgjedhur në mënyrë legale dhe legjitime.
Pavarësisht nga reagimet qëllimmira të partnerëve ndërkombëtar, shteti i Kosovës e ka për detyrë që mbi principet demokratike dhe të respektimit të ligjit ta shtrijë sovranitetin në gjithë territorin për funksionim normal të institicioneve.
Principet e shtetit ligjor dhe të vlerave demokratike nuk mund të jenë përjashtim për veriun e Kosovës vetëm e vetëm pse Serbia ka aspirata ekspansioniste dhe bandat e saj paraushtarake duan ta cënojnë sovranitetin e Kosovës.
Mbështesim parezervë shtrirjen e juridiksionit në gjithë territorin e Kosovës dhe mbështesim institucionet demokratike të Republikës së Kosovës në sprovën e madhe për respektim të ligjit dhe vlerave demokratike.”