Sunday, September 29, 2024
spot_img
BallinaLajmePas dështimit të Kovaçevskit të bind VMRO-në – fillon “buldozer diplomacia” amerikane...

Pas dështimit të Kovaçevskit të bind VMRO-në – fillon “buldozer diplomacia” amerikane dhe evropiane!

Pasi kryeministri Kovaçevski nuk arriti ta bind opozitën për ndryshimet kushtetuese edhe përkundër ofertave të majme, çështjen në dorë e kanë marrë vetë përfaqësuesit ndërkombëtar. Në fakt, diplomacia e BE-së dhe SHBA-ve i ka përveshur mëngët dhe në një ditë të vetme i ka ftuar në dy takime të ndryshme përfaqësuesit e VMRO DPMNE-së. Në selinë e partisë, lideri Hristijan Mickoski u takua me ambasadorin evropian David Geer, ku u bisedua për situatën aktuale ekonomike dhe politike në Maqedoninë e Veriut, si dhe për reformat që duhet të zbatojë vendi, të cilat janë të rëndësishme për rrugën e tij drejt BE – së. Në të njëjtën kohë, në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, Zëvendës Shefi i Misionit, Eric Mayer priti një grup deputetësh të VMRO-DPMNE-së për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale politike, mundësitë dhe sfidat dhe se si SHBA mund të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në të ardhmen, shkruan zhurnal.mk.

Në shikim të parë duket se janë takime të rëndomta ku lideri i VMRO DPMNE-së Mickoski po brifonte ambasadorin e BE-së rreth takimeve të tij të mbajtura në Bruksel, por thellë pas dyerve të mbyllura, çështjet e shtruara janë serioze.

Ndërkombëtarët sigurisht se kanë dashur të dëgjojnë nga goja e vet kryetarit të VMRO DPMNE-së dhe deputetëve të kësaj partie se cilat janë ankesat e tyre, cilat janë planet e tyre për zgjidhje të ngërçit të ndryshimeve kushtetuese dhe cilat janë kërkesat e tyre ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Aktualisht nuk ka një raport për publikun se çfarë është biseduar në këto takime, por është e qartë se diplomacia ndërkombëtare ka filluar të përdorë “metodat” e veta për të ulur palët e për të gjetur zgjidhje.

Ndryshimet kushtetuese janë ende në procedurë qeveritare dhe pritet të futen në Kuvend në fund të muajit korrik. Aktualisht po punohet që të shqyrtohen të gjitha mundësitë që procesi të bëhet konsensual. Nga ana qeveritare ka pohime se në VMRO-DPMNE ka një grup njerëzish të cilët besojnë se këto ndryshime janë të nevojshme, por nuk specifikojnë se sa është numri i këtyre deputetëve.

Nëse përfundojmë ndryshimet kushtetuese, hyjmë në grupin e vendeve që presin të bëhen anëtare të BE-së në vitet e ardhshme. Për këtë tashmë ka një vendim në BE, nëse nuk i zgjidhim ndryshimet kushtetuese, do të hyjmë në grupin e vendeve që kanë çështje të hapura.

VMRO DPMNE-së nga faktori ndërkombëtar i bëhet e qartë se nëse nuk zgjidhet tani kjo çështje, atëherë përpara do të shkojnë, Shqipëria e Mali i Zi, kurse Maqedonia e Veriut e cila ishte në mesin e këtij grupi, do të mbetet në mesin e shteteve me probleme të hapura si Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Serbia.

Nga faktori ndërkombëtar iu është bërë e qartë se nuk është koha që asnjë nga deputetët e VMRO DPMNE-së nuk dëshiron që emri i tij të jetë në listën e atyre qe e lanë të prapambetur në hapat e integrimit, Maqedoninë e Veriut.

Andaj, nevojitet që të kalojnë dhe të votohen amendamentet kushtetuese dhe për këtë arsye përgjegjësia e secilit deputet është shumë e madhe.

Kundërshtarët e ndryshimeve kushtetuese në fakt janë përkrahës të ideve të radikalëve bullgarë se perspektiva evropiane e shtetit duhet të reduktohet në marrëdhënie bilaterale me Republikën e Bullgarisë.

Ambasadat ndërkombëtare po mundohen të gjejnë deputetë të VMRO DPNE-së për të cilët thuhet se kanë një linjë ideologjike që i kupton pasojat e izolimit dhe hyrjes së vendit për herë të dytë në probleme, ngjashëm siç ishte me Greqinë.

Mundësitë për të bindur VMRO-DPMNE-në dalëngadalë po mbarojnë, por ato nuk janë shteruar plotësisht, andaj i gjithë faktori i jashtëm dhe i brendshëm po përpiqen që të punojnë me këtë linjë ideologjike që e dëshiron këtë vend dhe të ardhmen e këtij vendi, si një shtet evropian, demokratik.

VMRO-DPMNE ka ndryshuar disa herë qëndrime deri më tani. Fillimisht ishin për votimin e ndryshimeve por pa BDI-në në qeveri, tani kërkojnë vetëm zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet pa u zgjidhur çështja me Bullgarinë nuk shihen si zgjidhje, prandaj opsioni që më së shumti do t’iu ofrohet partisë opozitare është, “po shkuarje në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por fillimisht të gjithë të votojnë ndryshimet kushtetuese”. Nëse nuk pranohet ky opsion, do të përdoren edhe metoda më të “rënda diplomatike” duke i shkëputur deputetët e nevojshëm për të votuar ndryshimet kushtetuese, por që kjo do të jetë fatale për vetë partinë e Mickoskit. Kjo parti do të shkojë drejt përçarjes dhe shpartallimit në prag të zgjedhjeve të vitit 2024. Në situatë të ngjashme kjo parti ishte kur u votuan ndryshimet kushtetuese për ndërrimin e emrit. Si rezultat pati përçarje dhe trazira brenda VMRO DPMNE-së.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit