Nën masa të rrepta të sigurisë nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë sjellë në gjykatë dy prej të arrestuarve për terrorizëm të cilët u kapën në Banjskë.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka bërë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për terrorizëm: V. T., B. S. dhe D. M.
“Kërkesa është bërë kundër tre të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, njoftoi Prokuroria Speciale.
Seanca pritet të mbahet nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V. T., i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS – së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të dielën një grup prej mbi 30 personash sulmuan patrullën e policisë në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër.
Policia pasi rrethoi zonën u ishte përgjigjur shkëmbimeve të zjarrit të grupit terrorist, duke i lënë tre të vrarë dhe disa të plagosur dhe arrestoi gjashtë tw dyshuar lidhur me sulmin terrorist.