Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë tashmë është në fazën përfundimtare të punimeve, dhe së shpejti pritet të inagurohet.
Lajmi është dhënë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Arben Kingji.
Ai ka bërë të ditur se “ky aeroport do të shndërrohet në një bazë taktike për operacionet kombëtare dhe operacionet me rëndësi strategjike të NATO-s në Ballkanin Perëndimor”.
Kingji zhvilloi një takim me stafin drejtues dhe pilot në Bazën Ajrore Farkë ku u diskutua mbi ardhjen e dy helikopterëve luftarakë të tipit BlackHawk, që do t’i shtohen flotës së Forcës Ajrore, si vazhdimësi e investimeve madhore në drejtim të modernizimit, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura.
Tre vite më parë, në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe 70-vjetorin e krijimit të Aleancës, marrëdhëniet Shqipëri-NATO hynë në një fazë të re, pas vendimit të Aleancës për të ndërtuar në Shqipëri një bazë taktike ajrore.
Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s u zgjodh nga Aleanca për ndërtimin e një baze taktike ajrore në rajon dhe në janar të vitit 2022 filloi puna në terren për realizimin e projektit për modernizimin e Bazës Ajrore në Kuçovë, për ta shndërruar atë në një bazë taktike të NATO-s.
Autoritetet shqiptare e konsiderojnë projektin sa ambicioz aq edhe të rëndësishëm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por edhe për sigurinë rajonale.
Zbatimi i projektit përfshin punimet që do të përmirësojë infrastrukturën për kontrollin dhe sigurinë e fluturimeve, pistën, rrugët lidhëse, si dhe asetet e tjera ndihmëse.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, investimi në këtë bazë arrin vlerën e rreth 45,8 milionë eurove.
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s që prej prillit të vitit 2009, ndërsa në dekadën e fundit Aleanca dhe Shqipëria kanë rritur partneritetin e tyre në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ushtria shqiptare që nga anëtarësimi në NATO është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga kualifikimi i personelit, përmirësimi i infrastruktura ushtarake dhe modernizimi me pajisjet e mjetet e saj.