Një objekt katër katësh, mu në qendër të Leposaviqit gjendet objekti komunal i këtij qyteti. Deri në maj të këtij viti, dy katet e para të kësaj komune u shfrytëzuan nga strukturat paralele ilegale serbe në Kosovë, e dy të tjera nga qeverisja lokale e legale e vendit.
Zyret u ndanë për dy palët, drejtoritë ishin pothuajse të njëjta, e puna nga të dyja palët në shumicën e rasteve kryhej nga serbët e Kosovës, përderisa më shumë se 90 për qind e dokumenteve ishin në gjuhën serbe.
Më fund të muajit maj, pas zgjedhjeve që u mbajtën më prill 2023, kandidati për kryetar që fitoi më së shumti vota, Lulzim Hetemi (Lëvizja Vetëvendosje) u vendos në objektin komunal të Leposaviqit, e që atëherë ai po vazhdon të mos dalë jashtë ndërtesës e të angazhohet në punët komunale të cilat i takojnë. Serbët lokalë kundërshtojnë zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë katër komunat me shumicë serbe, përveç Lesposaviqit në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok e Zveçan.
Hetemit tashmë nuk i takojnë vetëm kati i tretë e i katërt, nën administrimin e tij mbetën të gjitha katet e komunës, e në duart e tij ranë edhe dokumentet e strukturave paralele serbe.
Dosjet gati të pluhurosura, me logo të Qeverisë së Serbisë, me nënshkrime e vula të zyrtarëve të kësaj qeverie u gjetën në arkivat e krijuara nga punëtorët e strukturave paralele serbe në Komunën e Leposaviqit.
Në mesin e këtyre dosjeve, KALLXO.com arriti të gjejë edhe dokumente që mbajnë edhe emra të avokatëve shqiptar, të cilët për të mbrojtur palë serbe të Kosovës pranuan e morën para nga Serbia.
Tre avokatët, Asdren Hoxha, Faruk Korenica e edhe Shyqyri Syla, që deri para një kohe mbante edhe pozitën e kryeprokurorit të Mitrovicës, morën me mijëra dinarë serbë që rrodhën nga Qeveria e Serbisë, qeveri e vendit që nuk e njeh Kosovën.
Detajet se si u arrit deri tek kjo dosje e çfarë përmbajnë të njëjtat u transmetuan të shtunën në emisionin “Pagat nga Serbia”.
Ekipi i KALLXO.com arriti që të ketë qasje në këto dosje, e më të njëjtat informata që u nxorën nga to i ballafaqoi edhe avokatët në fjalë.
E kërkesa për qasje në dokumente publike në Komunën e Leposaviqit, përpos që zbuloi si u bë lidhja e avokatëve me Qeverinë e Serbisë, zbardhi edhe keqpërdorime të tjera të cilat do të bëhen të ditura për publikun në javët në vazhdim.
Si e morën avokatët e Kosovës pagesën nga Serbia?
Një informacion që KALLXO.com pranoi para disa ditëve nga disa punëtorë serbë që mbajnë pozita në Komunën e Leposaviqit, asaj të ligjshmes, bëri që brenda objektit të kësaj komune të zbulohen me qindra dosje që dëshmojnë parregullsi e keqpërdorime që ndodhën tash e disa vite në këtë zonë.
Ekipi i KALLXO.com arriti që të hyjë brenda objektit të kësaj komune e të shpalosë me radhë dosje të shumta të lëshuara nga institucionet e Kosovës, ato paralele të Serbisë në Kosovë e po ashtu edhe dokumente të vet Qeverisë së Serbisë.
Në mesin e dokumenteve që u zbuluan dëshmohet se si u paguan avokatët Asdren Hoxha, Faruk Korenica e Shyqyri Syla, i cili një kohë bukur të gjatë mbante edhe pozitën e ish-kryeprokurorit të Mitrovicës.
Tre avokatët përmes procedurave pothuajse të njëjta arritën që të fitojnë shuma të mëdha të parave që u lëshuan me vendim të shefit të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Në mesin e dosjeve në emër të avokatëve u gjetën fatura të postave, vendime të nënshkruara nga ish kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq e nga zyrtarë të qeverisë serbe.
Këto dokumente, të shkruara në gjuhën serbe, u vulosën e u nënshkruan nga avokatët shqiptarë.
Dosjet që ekipi i KALLXO.com i hulumtoi zbardhin se si disa prej faturave fillimisht u dorëzuan në Graçanicë, e më pas përmes postës kaluan edhe në strukturën paralele serbe në Komunën e Leposaviqit.
Në mesin e këtyre dokumenteve u gjetën edhe fotografi të avokatëve, e xhirollogari bankare të kontove ku u derdhën paratë e Qeverisë së Serbisë për tre avokatët e mirë-paguar të Kosovës.
Të gjitha dokumentet e arkivuara, po ashtu u ruajtën edhe në folder të cilët po ashtu u blen në Serbi, në një kompani në qytetin e Novi Sad.
Avokatët në fjalë, u kontaktuan nga ekipi. Hoxha u shpreh i painteresuar të komentojë këtë situatë, përderisa Syla e dha arsyetimin e tij e Korenica tha se nuk i intereson prej kujt janë parat, derisa klientit që po ia kryen shërbimet e paguan atë.
Një vulë, një emër, një mbiemër e një nënshkrim – janë të vetmet fjalë që mund t’i lexosh në shqip në shumicën e dokumenteve që posedon KALLXO.com e që dëshmojnë punën e avokatëve Syla, Hoxha e Korenica, përjashto këtu procesverbalet e Gjykatës Themelore në Prishtinë në të cilën u trajtuan rastet.
Lidhur me këto dëshmi që u gjetën, KALLXO.com kontaktoi me organet kompetente këtu në Kosovë, por edhe me Qeverinë e Serbisë.
Të vetmit që u përgjigjen për këto raste deri më tani ishin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special të së cilës edhe trajtohen rastet në fjalë.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se përfaqësimi i të pandehurve rrjedh nga autorizimi në mes të palëve dhe kjo është çështje personale në mes tyre. Për më shumë mund ti drejtoheni Odës së Avokatëve të Kosovës” – tha për KALLXO.com zëdhënësja pranë kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.
Të kontaktuar ishin edhe Oda e Avokatëve, por që nga ta deri në momentin e publikimit të këtij hulumtimi nuk kanë kthyer përgjigje.
Përgjigje nuk u mor as nga Prokuroria Speciale e as nga Qeveria e Serbisë.
Ballafaqimi i avokatëve me dosjet që i nënshkruan vet ata
Asdren Hoxha, Faruk Korenica e Shyqyri Syla janë emrat e avokatëve për të cilët punëtorët e strukturave paralele serbe në Leposaviq arkivuan dosje.
Avokatët mbrojtën palë serbe në raste të ndryshme, e të njëjtët për këto shërbime parat i morën nga Qeveria e Serbisë, me vendim të nënshkruar nga shefi i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ekipi i KALLXO.com pasi analizoi dosjet që siguroi, kontaktoi tre avokatët në fjalë e të njëjtët i pyeti se pse ndodhi ajo që ndodhi.
“Shiko, nuk kam nevojë as interes me marr pjesë në emision…” – kjo është përgjigja e Hoxhës, avokatit të mirë-paguar në Kosovë, për të cilin u lëshuan vendime për pagesë edhe nga Petkoviqi.
Një dosje bukur e gjerë iu është gjetur avokatit në zyret e Komunës së Leposaviqit, e kjo dosje në vete përmban dokumente të lëshuara nga Qeveria e Serbisë e edhe nga strukturat paralele serbe në Leposaviq.
Për posedimin e këtyre dokumenteve, KALLXO.com e njoftoi avokatin Hoxha e nga i njëjti kërkoi edhe sqarim.
Mirëpo, Hoxha u shpreh i painteresuar për të dhënë sqarim për këtë çështje.
“Shiko, nuk kam nevojë as interes me marr pjesë në emision… Shkodrane, kalo mirë, shihemi, tung…” – janë përgjigjet e vetme që u arrit të merren nga Hoxha, i cili nuk ndau kohë as të dëgjojë kërkesën e ekipit deri në fund pasi ndali telefonin.
Dosja e Hoxhës e hulumtuar nga KALLXO.com është pothuajse e ngjashme me dosjen e Sylës e Korenicës.
Ajo çfarë shihet më shumë në dosjen e Hoxhës është se ka edhe dokumente që dëshmojnë se si faturat për pagesë fillimisht dërgoheshin në Graçanicë, e më pas përmes postës arrinin tek strukturat paralele serbe në Leposaviq.
Këto dokumente, që u prezantuan në emisionin “Pagat e Serbisë”, gjithashtu dëshmojnë se përmes cilave xhirollogari bankare u pagua Hoxha e edhe avokatët e tjerë.
Madje, gjatë kontrollimit të dosjes së tij, ekipi i KALLXO.com arriti të gjejë dokumente që përpos nënshkrimit e vulës së Hoxhës, pari edhe fotografi të avokatit.
KALLXO.com kontaktoi edhe me ish-kryeprokurori Syla, tashmë avokat. Ai në përgjigjet e tij tha se ishe kontaktuar nga klientia e tij, Jellica Baraq, e cila ka më shumë se dy muaj që ka vdekur, për ta mbrojtur atë në një rast.
Brenda dosjes që ka KALLXO.com për Shyqyri Sylën, e që u gjet në arkivin e strukturave paralele serbe në Komunën e Leposaviqit, u gjetën fatura, dokumente nga posta, vendime të ish kryetarit të Komunës së Leposaviqit – Zoran Todiq, dokumente të nënshkruara nga shefi i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë – Petar Petkoviq, dokumente me xhirollogari bankare e dokumente të tjera.
E gjithë kjo dosje iu është dorëzuar edhe vet Sylës, e ai pasi pranoi këto dokumente, përmes emailit – pasi tha se nuk ka kohë të tu takuar për intervistë – dha edhe shpjegimin e tij.
“Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë klient për të cilët kam pranuar mjete financiare nga Qeveria e Serbisë” – tha Syla për KALLXO.com teksa pati shpjegim edhe për rastin e Jellica Baraq.
“Ju informoj se diku në muajin korrik të vitit 2021, data e saktë nuk më kujtohet, në zyrën time të avokatisë në Mitrovicë, e njëjta të cilën më parë nuk e kam njohur, ka ardhur dhe ka kërkuar që unë ta mbroj – përfaqësoj në çështjen penale kundër saj, që udhëhiqet në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Divizioni Special numër PS.nr.37/21 e për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK” – tha Syla.
Ai tutje shtoi se po atë ditë, janë dakorduar që ai të jetë mbrojtës i saj dhe janë marrë vesh edhe për pagesën për shërbimet që do ti kryej në emër të mbrojtjes, e në bazë të tarifës së Odës së Avokatëve të Kosovës.
“Po atë ditë e njëjta ma ka nënshkruar edhe autorizimin dhe kam filluar të punoj në këtë çështje. Diku, pas tre ose katër muajsh (data e saktë nuk më kujtohet), prapë në zyrën time e njëjta më ka treguar se siç thoshte ajo, “se të gjithë e dinë se unë jam viktimë në këtë çështje penale”, dhe meqenëse vetëm unë punoj në familje, për këto arsye institucioni ku ajo punonte (Komuna paralele e Leposaviqit), ka shprehur gatishmërinë që të ia ri-mbursojë një shumë të mjeteve për mbrojtësin” – tha Syla.
Tutje ai shtoi se nga këto arsyeje pala e tij, Jellica Baraq ka kërkuar nga ish-kryeprokurori që t’i ndihmoj në këtë drejtim.
“Më ka lutur se a mundem që të ia nënshkruaj faturat e shpenzimeve që ajo do të mi sjell për shqyrtimet e mbajtura gjyqësore, dhe se krejt dokumentacionin rreth kësaj çështje dhe procedurat do t’i rregullonte ajo vetë” – tha Syla.
I njëjti shpjegoi se përgjigja e tij ka qenë se atë do të vazhdojë ta paguajë siç ka qenë duke e paguar deri në atë kohë, pra sipas Sylës ashtu siç edhe ishin marrë vesh me rastin e nënshkrimit të autorizimit.
“Por , shpenzimoret për ri-mbursime dhe dokumentet që i duhen lidhur me këtë lëndë penale, do ti nënshkruaj pa asnjë problem nëse i sjell në zyrën time” – tha avokati.
Tutje ai shtoi se me pëlqimin e tij i ka rregulluar procedurat rreth këtij ri-mbursimi, dhe dokumentet të cilat pala i ka sjellur në zyrën e tij më pas vet ai i ka nënshkruar dhe vulosur.
Syla shtoi se diçka e tillë ndodhi “vetëm që t’i ndihmoj në ri-mbursimin e këtyre shpenzimeve marrë parasysh gjendjen e saj ekonomike dhe shëndetësore, si dhe përballimin sa më të lehtë të shpenzimeve për mbrojtje”.
Syla në përgjigjen e tij tha se përveç kontratës dhe faturave, ku ai ka vënë nënshkrimin dokumentet tjera të cilat ekipi i KALLXO.com ia ka prezantuar nuk i ka parë kurrë.
“Këto dokumente, me aq sa mbaj mend, kanë qenë një kontratë për kryerjen e shërbimeve të mbrojtjes së të njëjtës, dhe faturat rreth pjesëmarrjes sime në shqyrtimet e mbajtura. Të gjitha procedurat i ka kryer ajo, dhe ajo ka menaxhuar me llogarinë në të cilën janë derdhur mjetet financiare” – tha avokati.
Gjithashtu ai shtoi se nuk është në dijeni se a janë ri-mbursuar këto mjete të njëjtës apo jo, pasi tha se nuk i ka interesuar meqenëse pagesën për shërbimet e mija në këtë çështje penale i ka bërë pala – Jellica Baraq.
Ish-kryeprokurori gjithashtu bashkëngjiti një dokument si dëshmi, pra faturën nr. 10/23 të datës 12 gusht 2023.
Ai tha se kjo faturë dëshmon se pagesën e fundit që i është bërë nga Baraq, dhe dëshminë për depozitimin e mjeteve në llogarinë e tij të biznesit në BKT në Mitrovicë.
Syla gjithashtu tha se për këto mjete ka paguar tatimin në Republikën e Kosovës.
Fatura të cilën Syla e dha si dëshmi është kjo:
KALLXO.com kontaktoi edhe Faruk Korenicën, i cili e pranoi se i nënshkruajti dokumentet e lëshuara nga Qeveria e Serbisë, e që përmes tyre më pas u pagua për shërbimin që ia bëri klientëve të tij.
“Po, po, po. Me siguri po, ama me kërkesën e klientit, çka ka bërë ai mua nuk po më intereson, unë po ia jepi shërbimin, aty kund në Kushtetutë nuk shkruan që ti nuk guxon me e mbrojt filanin ose me marrë pare” – tha Korenica.
Ai gjatë gjithë bisedës që pati me ekipin tha se të gjitha dokumentet e gjetura janë aktivitetet e klientëve që ai i ka mbrojtur.
“Unë lidhje me këtë nuk kam, ata janë kanë të obliguar me paraqit një emër kush po i mbron, do të thotë komplet raportin që e kanë këta me këto janë aktiviteti i klientëve, e jo aktiviteti im” – tha avokati.
Madje i njëjti shprehet se atij nuk i intereson se prej nga i siguron klienti paratë, duke thënë se e rëndësishme për të është që ai të paguhet për shërbimet që ai i kryen.
“S’di bre a po kuptoni, mua nuk po më intereson në çfarë mënyre ka ardh një klient i jemi deri në para, unë kam me të mbrojtë me tarifën e cila është këtu” – thotë ai duke shtuar “Unë me Qeverinë e Serbisë nuk kam lidhje, ai qysh gjendet, qysh i siguron këto, ajo është çështja e klientit”.
E nga e gjithë biseda që pati KALLXO.com me Korenicën, fjala më e shpeshtë që pati avokati është se atij nuk i intereson se nga ku vijnë paratë, përderisa ai paguhet për shërbimet e veta.