Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me dy senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, ka thënë se Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për policin e vrarë me 24 shtator në veri, Afrim Bunjakun.
Përmes një deklarimi para gazetarëve, Osmani tha se çdo vizitë e zyrtarëve është dritare e re e hapur për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Senatorët dua t’i falënderojë në emër të të gjithë qytetarëve, për angazhimin për të ndihmuar vendin tonë për më shumë stabilitet afatgjatë” – tha Osmani.
Ajo bëri të ditur se takimi me senatorët është përqendruar në aktin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se i ka informuar ata për rrjedhën e ngjarjeve dhe për provat e mbledhura deri më tash.
“Serbia duke shërbyer si satelit i Rusisë ka për qëllim destabilizimin e gjithë Ballkanit Perëndimor. Gjëja më e rëndësishme në këtë moment është të parandalohen akte të tilla, që Serbia të mbahet përgjegjëse dhe t’i dorëzojë terroristët në vendin tonë” – tha presidentja Osmani.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për heroin Afrim Bunjaku, si dhe për aktin e agresionit që Serbia kreu mbi shtetin tonë” – tha mes tjerash presidentja.
Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch janë duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë. Përveç presidenten Osmani, ata do ta takojnë edhe kryeministrin Albin Kurti.