Tuesday, October 1, 2024
spot_img
BallinaLajmeOsmani bën homazhe te vëllezërit Gërvalla: Të bëjmë çmos që liria jonë...

Osmani bën homazhe te vëllezërit Gërvalla: Të bëjmë çmos që liria jonë të shkëlqejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik, në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.

Në një prononcim për gazetarëve, ajo ka thënë se duhet të sigurohemi që nipat dhe mbesat e atyre që kanë rënë për Kosovën, të prosperojnë në liri, raporton Klan Kosova.

“Jemi këtu me familjen Konjufca dhe me familjen Gërvalla, me miq e dashamirë nga gjithë Kosova për të përkujtuar trimërinë, guximin dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës që u shndërruan në simbol të përpjekjeve tona për liri”, ka thënë Osmani.

“E kujtojmë me pietet të gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djem e vajzave të Kosovës që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të punojmë për një Kosovë të pavarur, ta gëzojmë Kosovën e pavarur dhe lirinë e saj dhe të sigurohemi që nipat e mbesat e Jusuf Gëvallës e Kadri Zekës, por edhe të gjithë nipat dhe mbesat e atyre që ranë për Kosovën dhe për lirinë e saj, të prosperojnë në liri dhe njëkohësisht të bëjmë çmos që liria jonë, jo vetëm të mbijetojë, por të shkëlqejë në mesin e kombeve të lira dhe të pavarura”, është shprehur presidentja Vjosa Osmani.


Kurti: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka u kthyen në emra referencial për liri

Në 42 vjetorin e vrasjes, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar tre dëshmorët e kombit që u vranë në një atentat në Gjermani, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke e konsideruar, këtë si “dosje më vete” që tregon për vrasjen politike ndaj shqiptarëve në ekzil.

“Mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete.

Përmes saj mund të lexohet vet historia e ekzilit politik të shqiptarëve, përndjekja e tyre nga strukturat e sigurisë të Serbisë dhe historia e bashkëpunëtorëve të tyre”:, ka shkruar sot Kurti në facebook.

Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982.

Sipas Kurtit, ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë, që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat.

“Atë të diel dimri dhe me borë në Gjermani, tre veprimtarët politikë shqiptarë të shënjestruar, Jusuf Gërvalla, vëllai i tij Bardhoshi dhe gazetari Kadri Zeka, sapo kishin dalë me makinë nga një garazhë në Untergrupenbach pranë Heilbronnit. Fare pak metra më tutje, dy persona anonimë kishin dalë nga një punishte ndërtimi dhe me revolet e tyre kishin shtënë 12 plumba në drejtim të makinës. Prej tyre, gjashtë plumba e kapën Bardhoshin që po e voziste makinën, kurse Jusufi dhe Kadriu u goditën me nga dy plumba. Një atentat i kryer qartazi nga vrasës të trajnuar dhe i ideuar politikisht, sipas stilit famëkeq të shërbimeve sekrete të Serbisë, që veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, i kishte ashpërsuar shumëfish përndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe torturat mbi aktivistët politikë shqiptarë që i gjurmonte edhe jashtë shtetit”, shkruan Kurti.

Rënia aq e bujshme e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut si dhe jehona aq e gjatë e këtij atentati, sipas kryeministrit, nuk u përcoll deri në fund nga drejtësia.

“Por, historia e veprimtarisë së tyre politike, pasuar nga veprat letrare të Jusufit dhe këngët e tij me Bardhoshin, sikur edhe profili prej gazetari dhe aktivisti i Kadriut, vetëm sa kanë shkuar duke u bërë më të kristaltë. Nga koha kur janë vrarë më 17 janar 1982 dhe deri sot pas 42 vitesh kur po i kujtojmë, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu janë kthyer në emra referencialë për të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës. Lavdi Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, për veprat e tyre atdhetare dhe për jetën e dhënë në rrugën për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar kryeministri Kurti.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit