Zv.ministri i Arsimit, Agim Nuhiu, ka kritikuar Avokatin e Popullit, Naser Zyberin se po heshtë, siç ka thënë, për diskriminimin e nxënësve shqiptarë në Veles.
“Pse heshtë Avokati i Popullit, pse heshtë komisioni nga Diskriminimi. Ç’bëjnë Prokuroria dhe institucionet që duhet ta ngrejnë zërin kur konsumohen veprat penale që kanë të bëjnë me parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit. Këtu kemi diskriminim direkt mbi baza etnike. Nxënësit shqiptarë, qoftë edhe një të jetë, qoftë në Veles, në Çashkë apo kudo tjetër do të duhet të ketë qasje tek të mirat dhe shërbimet që duhet t’i ofrojnë autoritetet komunale”, tha Nuhiu për Alsat.
Nxënësit shqiptarë në Veles ankohen se diskriminohen pasi pengohen që të shkollohen në gjuhën amtare. Prej disa ditësh 16 të rinjë shqiptarë protestuan para gjimnazit “Koço Racin” në Veles pasi nuk arritën të regjistrohen me kriteret e njejta, që sipas tyre, vlenin për nxënësit maqedonas. Sot, ky problem është zgjidhur, por ata kanë edhe ankesa tjera, ndër të cilat thonë se në paralelet në gjuhën shqipe vetëm 2 deri në 4 lëndë ligjerohen në shqip, tjerat maqedonisht.
Ndërkaq, 13 fëmijë të Idrizovës, në komunën e Gazi Babës, ankohen se s’mund të ndjekin mësimin në shkollën “Njegosh” pasi u mohohet kjo e drejtë në klasat VI- IX.