Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit lidhur me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të datës 01.12.2024, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.V, ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri D.V lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, i njëjti mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale, po ashtu nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale ose do të pengon rrjedhën normale të hetimeve, mund të ndikojë në dëshmitarë, mund të përsërisë veprat e njëjta penale ose do të kryej sërish vepra penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda.
Ndërsa, policia dje ka arrestuar 8 të dyshuar për përfshirje në këtë sulm. Në 10 lokacione të ndryshme janë kryer bastisje ku u konfiskua edhe arsenal armësh.