Nga fillimi i këtij viti personat e huaj të cilët nuk kanë seli apo filial në territorin e shtetit dhe kryejnë qarkullim të mallrave dhe shërbimeve që i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar, do të duhet të emërojnë përfaqësues tatimor për TVSH-në.
Ky detyrim, siç qëndron në informacionin e publikuar në faqen e internetit të Drejtorisë për të Ardhura Publike, rezulton nga ndryshimet e fundit në Ligjin për Tatim mbi Vlerën e Shtuar të publikuar në Gazetën Zyrtare më 25 shtator të vitit të kaluar.
“Detyrimi i paraparë ligjor personi i huaj duhet ta përmbushë para fillimit të qarkullimit të tatueshëm në vend, ndërsa gjatë regjistrimit nuk merret qarkullimi i përgjithshëm prej 2 milionë denarë të përshkruar në nenin 51 paragrafi (1) të Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” shpjegohet në kumtesë.
Për përfaqësues tatimor mund të emërohet çdo person juridik ose fizik, i cili është regjistruar për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar për të paktën 12 muaj përpara paraqitjes së aplikimit dhe që nuk ka detyrime tatimore të vonuara dhe të papaguara. Për personat juridik si kusht është theksuar që të mos kenë procedurë falimentimi apo likuidimi, ndërsa personat fizikë të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale.
Detyrimi i përfaqësuesit tatimor do të jetë ta llogarisë tatimin mbi vleren e shtuar në bazë të llogaritjeve të marra nga personi i huaj, të paraqesë deklaratë të TVSH-së në emër të personit të huaj pas përfundimit të çdo tremujori, të paguajë tatimin dhe interesin e llogaritur në rast se personi i huaj nuk ka kryer pagesën brenda afatit të përcaktuar ligjor dhe të mbajë evidencë për qarkullimin e tatueshëm të kryer nga personi i huaj.