Miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal, për uljen e dënimeve me burgim për bartësit e funksioneve shtetërore, stimulon edhe më shumë krimin dhe korrupsionin në vendin tonë, vlerëson profesori universitar, Bashkim Selamni.
Në këtë mënyrë, ai thotë se bëhet e qartë se krimi dhe korrupsioni ka gjunjëzuar jo vetëm sistemin e shtetit por edhe gjyqësorin.
Sa i përket arsyetimit të Qeverisë se është bërë harmonizimi i Kodit Penal me praktikën e BE-së, Selmanit i duket e palogjikshme sepse në shtete europian në raste të keqpërdorimeve dorëheqjet si akt moral janë të menjëherëshme, ndërsa tek ne, akti moral nuk vjen në shprehje e sanksionimi edhe më hiq.
“Nuk sillet ligji europian pa e lexuar gjendjen faktike, kur dihet se krimi dhe korrupsioni janë shtylla bazë e funksionimit të këtij sistemi. Në këtë rastë vetëm aty ku ka benefite thuhet europiane e nga ana tjetër plotësimin e kushteve dhe kritereve ku qytetarët duhet të mbrojnë interesat e tyre, ata më tepër thirren vetëm për të mbrojtur interesat individuale, grupore ose partiake, por jo dhe interesin qytetar. Europa ka shumë standarde të ligjeve të ndryshme, por nuk merren vetëm ato ku është interesi i grupeve ose interesave të caktuara sepse gjendja faktike në RMV është tjetër e në vendet perëndimore sanksionet morale janë shumë më të larta se sa ajo që është ana materiale” – tha profesori universitar, Bashkim Selamni.
Selmani: Dyshoj për bashkëpunim të heshtur
Selmani thotë se duke analizuar momentin e realizimit të ndryshimeve kushtetuese të cilat ishin me procedur të shpejtë dhe pa as një debat, lë të dyshosh se këto ndryshime janë bërë në shkëmbim të ndryshimeve kushtetuese.
“Asnjëra nga partitë politike nuk ka dhënë një llogari ku do të kundërshtoheshin sjelljet e këtyre ligjeve, por përkundrazi këto në bashkëpunim qoft në mënyrë publike ose të heshtur janë në vijën e drejt të krimit dhe korrupsionit. Kjo rrezikon edhe vetë mënyrën e funksionimit të shtetit. Nga njëra anë dëshirë për BE-në, e nga ana tjetër përmes krimit dhe korrupsionit nuk mund të shkohet në Bashkimin Europian. Kjo qasje dita ditës vështirëson dhe humb luftën psikologjike ndaj krimit dhe korrupsionit” – u shpreh Selmani.
Këto ndryshime, të cilat pushteti thotë se i ka sjellë për t’i harmonizuar me legjislacionin europian, Selmani thotë se do ta vështirësojnë edhe më shumë luftën ndaj krimit të organizuar në vendin tonë.