Ende po analizohet dhe është e paqartë kur dhe si do të vjetërohen rastet e ish-Prokurorisë Speciale me ndryshimet e fundit të Kodit Penal. Përveç matematikave politike, bëhen edhe llogaritë juridike për atë se kush dhe si do të shpëtojë.
Sipas analizave të para, të akuzuarit kryesor të ish-PSP-së, Sasho Mijallkov, Gordana Jakullovska dhe Mile Janakieski për disa vite do të jenë qytetarë të lirë.
Emri i Nikolla Gruevskit së fundmi është përmendur me të madhe nga mediat në Maqedoni, pas ndryshimeve të Kodit Penal dhe po bëhen analiza nëse ai do të kthehet nga Hungaria, ndërsa për këmbim do të votohen ndryshimet kushtetuese.
Qeveria i propozoi ndryshimet e Kodit Penal pa mos i interesuar se 14 lëndët gjyqësore në të cilat janë të akuzuar 80 persona, do të jenë një hap larg nga vjetërsimi, duke e larguar paragrafin 5 të nenit 353, që ka të bëjë me “keqpërdorimin e detyrës zyrtare” dhe uljen e dënimit për veprën “shoqërim kriminal”.
Shumica e rasteve të ish- Prokurorisë Speciale Publike i referohen nenit 353 paragrafi 5, përkatësisht keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar gjatë prokurimit publik ose dëmtim i buxhetit, fondeve publike apo aseteve tjera të shtetit.
Tani, pjesa tjetër e paragrafëve të nenit 353 të Kodit Penal do të zbatohet për krime të tilla, të cilat parashikojnë dënim me burg deri në pesë vjet, dhe jo si më parë, kur ishte caktuar vetëm një minimum ligjor deri në pesë vjet dhe kjo vepër parashkruhet pas dhjetëra vitesh.
Duke pasur parasysh se shumica e krimeve janë kryer 10 vjet më parë, dhe dënimi ulet deri në maksimum 5 vjet burg, kjo do të thotë se parashkrimi absolut do të vijë 10 vjet pas kryerjes së krimit, pra shumica e krimeve janë, ose tashmë janë të vjetruara, ose do të jenë të vjetruara brenda një viti.