Kryeministri Hristijan Mickoski ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, i cili njoftoi se brenda një viti do të punësohen 2-3 mijë shqiptarë në administratën shtetërore dhe publike.
“Nuk do të ketë diçka të tillë dhe as nuk do të ndodhë për sa kohë unë jam kryeministër i Qeverisë së Maqedonisë. Do të ketë punësime, por ato do të jenë për persona kompetentë që do t’u përgjigjen detyrave të punës. Punësimet nuk duhet të jenë temë diskutimi në bazë të çelësave partiakë ose etnikë, dhe këtë e kemi thënë shumë herë,” deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se planifikohet sjellja e një ligji të ri për përfaqësim të drejtë, pasi ligji i mëparshëm u anulua nga Gjykata Kushtetuese.
Gjatë një tubimi partiak në Shuto Orizare më 20 shkurt, Mexhiti njoftoi se qeveria do të punësojë më shumë shqiptarë në sektorin shtetëror sesa sa kanë bërë partitë shqiptare në dy mandate të mëparshme.
“Brenda një viti do të punësojmë aq shqiptarë sa të tjerët i kanë punësuar për tetë vite në qeveri. Do të jenë qindra, nëse jo 2-3 mijë shqiptarë në administratën shtetërore dhe publike, kudo që ka nevojë për kuadro të reja. Kjo do të ndihmojë në uljen e një problemi të madh dhe do të parandalojë shumë të rinj të kërkojnë të ardhmen jashtë Maqedonisë,” deklaroi Mexhiti.
Mickoski shtoi se nuk e përjashton mundësinë që dikush të bëjë lista për punësime, por nënvizoi se për sa kohë ai është në krye të qeverisë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.