Marrëveshja vlen për Sigurimet e kolonës (shtyllës) së Parë: Sigurimin pensional të pleqërisë dhe trashëgimtarëve (AHV/AVS) si dhe Sigurimin e Invaliditetit (IV/AI)
Pas përfundimit të ratifikimit në të dy shtetet kontraktuese, Marrëveshja ndërshtetërore e Sigurimeve Shoqërore në mes të Zvicrës dhe Shqipërisë hyn në fuqi nga 1 tetori 2023.
Trajtimi i barabartë i shtetasve të dy vendeve kontraktuese në raport me të qenët i siguruar dhe mundësisë së eksportimit të përfitimeve në vendet kontraktuese vlen si parimi kryesor i koordinimit bilateral në rrafshin ndërkombëtar të Sigurisë Shoqërore dhe është pjesa qenësore e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja vlen për Sigurimet e kolonës (shtyllës) së Parë: Sigurimin pensional të pleqërisë dhe trashëgimtarëve (AHV/AVS) si dhe Sigurimin e Invaliditetit (IV/AI). Ajo rregullon në rend të parë të qenët person i siguruar në rast të ushtrimit të një veprimtarie ekonomike në njërin nga vendet kontraktuese si dhe mundësinë e eksportimit të pensionit të pleqërisë, pensionit të trashëgimtarëve dhe pensionit të invaliditetit në rast të vendbanimit në njërin nga dy vendet kontraktuese. Marrëveshja përmban gjithashtu dispozitat e mundësisë së luftimit të keqpërdorimeve.
Te qenët person i siguruar
Sipas dispozitave të legjislacionit në zbatim, për të qenë person i siguruar vlen parimi i vendit ku ushtrohet një veprimtari ekonomike. (Nëse një person ushtron një veprimtari ekonomike në Zvicër, atëherë ai është i siguruar në skemën e sigurimeve shoqërore të Zvicrës). Si përjashtim nga ky parim është mundësia e dërgimit nga ndërmarrja të një personi në territorin e shtetit tjetër kontraktues. Në këtë rast personi i nënshtrohet për një periudhë kohore prej më së shumti 24 muajsh sigurimit shoqëror të shtetit të prejardhjes. (Nëse një ndërmarrje nga Zvicra dërgon punëtorët për një veprimtari ekonomike në Shqipëri, për një kohëzgjatje prej më së shumti 24 muajsh, personat e dërguar vazhdojnë të jenë të siguruar në skemat e sigurimeve shoqërore të Zvicrës).
Realizimi i përfitimeve
Pensionet e pleqërisë nga Zvicra, të cilat pas llogaritjes janë deri në 10% të pensionit të plotë, do të paguhen në formë kapitalit të njëhershëm. Nëse pensionet janë deri 20% të pensionit të plotë, atëherë personi mund të zgjedhë mundësinë e pagimit në formë kapitali apo në muaj. Për të realizuar të drejtën e përfitimeve shtesë (EL) përveç ruajtjes së vendbanimit në Zvicër, shtetasit e Shqipërisë duhet të plotësojnë një periudhë të vendbanimit paraprak prej së paku 5 vjetëve. Shtesat familjare nuk janë të rregulluara në marrëveshje. Fëmijët me vendbanim në Shqipëri, edhe pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes në fjalë, nuk kanë të drejtë për shtesa familjare.
Bashkimi i periudhave kontributive për të realizuar të drejtën për pension invaliditeti
Personat, të cilët nuk i plotësojnë kontributet për pension pleqërie nga Shqipëria, kanë të drejtë të bashkojnë periudhat kontributive nga Zvicra (kjo vlen vetëm si periudhë kohore kontributive dhe jo si vlerë për llogaritje).
Për të përmbushur periudhën minimale të kontributit prej 3 vjetësh për të krijuar të drejtën për një pensionim të invaliditetit në raport me Shqipërinë, merren parasysh periudhat e kontributeve të huaja, me kusht që të jetë të paktën një vit kontributiv në Zvicër.
Mundësia e eksportimit të pensioneve
Pensionet e invaliditet për një invaliditet nën 50% si dhe pensionet e jashtëzakonshme dhe kompensimet e paaftësisë paguhen vetëm në rast të ruajtjes së vendbanimit në Zvicër. Pensioni social në Shqipëri paguhet vetëm për personat me vendbanim në Shqipëri. Të gjitha pensionet e tjera, të pleqërisë dhe invaliditetit, mund të eksportohen në njërin nga vendet kontraktuese ku banon personi përfitues.
Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë, janë afërsisht 3’100 shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, pa përfshirë shtetasit shqiptarë me nënshtetësi të dyfishtë, ndërsa në Shqipëri jetojnë rreth 53 shtetas zviceranë.
Për tekstin e marrëveshjes në gjermanisht / frëngjisht dhe italisht mund të klikoni më poshtë:
(Autori, Ruzhdi Ibrahimi është ekspert i diplomuar i Sigurimeve Shoqërore në Zvicër)