Monday, September 30, 2024
spot_img
BallinaLajmeMaqedonia, në mes ‘Gjykatës Speciale’ dhe ‘Gjykatës së Popullit’…!

Maqedonia, në mes ‘Gjykatës Speciale’ dhe ‘Gjykatës së Popullit’…!

(Shkas: ndryshimet e fundit në Kodin Penal të RMV-së)

Nga: Sali Shasivari

Përreth skepticizmit dhe dyshimeve të vazhdueshme për kapacitetin dhe mundësinë e ‘bërjes’ shtet të këtij “shteti” të pabërë ndonjëherë…; megjithatë, gjeopolitikat rajonale dhe globale jepnin njëfarë shprese se, mbase, për hirë të shumë konstelacioneve gjeo-strategjike, kjo ‘banana republikë’ ndoshta edhe mund të bëhet, qoftë edhe përkohësisht…!

Një shpresë e këtillë – ndonëse e venitur – arriti kulmin diku në Shtator të vitit 2015, kur si rezultat i kompromisit midis katër partive më të mëdha në atë kohë, LSDM, VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH, u themelua Prokuroria Speciale, me qëllim të hetimit dhe zbardhjes së skandalit të përgjimeve të paligjshme në Maqedoninë e Veriut…; me ç’rast, Kryeprokurore u zgjodh znj. Katica Janeva…

Mirëpo, sakaq, kjo Prokurori, jo vetëm që nuk arriti të hetojë apo të zbardhë asnjë skandal, por vetë Prokurorja përfundoi në paraburgim më 21 gusht të vitit 2019, nën dyshime për përfshirje në vepra penale…!

Me këtë mega-skandal, së paku nga këndvështrimi im modest, u ngulit ‘gozhda e fundit’ në sarkofagun e kësaj sajese ‘mumje’…!

Gjithçka tjetër që pasoi dhe që do të pasojë, duhet konsideruar si ‘elegji’ dhe ‘epigram’ që do të shkruhet në ‘muralin e turpit’ dhe në ‘epitafin’ e ‘varrit humnerë’ të këtij vendi monstër, i cili dita ditës po kalbet dhe po kundërmon gjithandej, dhe i cili tashmë gjendet në fazën e ‘vdekjes klinike’, dhe në çdo moment pritet të shpallet ‘i vdekur’…; vend ky, i njohur vetëm për një gjë, edhe atë, për ‘ngrënien e kokës’ së vendasve të vet…!

Mbase, e njejta gjë vlen edhe për protagonistët ‘shushunjëza’ dhe ‘piranja’ të kësaj kënete, e që janë ‘shtresat parapolitike’ dhe ‘elitat hajdute’, të cilëve ua kanë zili edhe qeniet parazite më të shëmtuara të nëntokës dhe kanalizimeve të ujërave të zeza…; ‘protagonistë’ këta, të cilët do të kalben bashkë me kalbjen dhe tharjen e ‘moçalit’ dhe ‘gropës septike’ të cilën e ndërtuan në këtë ‘kopsht të mbrapmë dhe të mbrapshtë të Europës’, gropë kjo, të cilën, sa herë që kundërmon, mundohen ta mbulojnë me Flamurin Evropian…!

Nën hijen e një realiteti të këtillë të hidhur, dhe, nën hijen e ndryshimeve të fundit të Kodit Penal të RMV-së, që parasheh uljen e dënimeve për zyrtarët që abuzojnë me pushtetin (të propozuara nga Qeveria, të miratuara – me 48 vota pro dhe 36 kundër – në një seancë me procedurë të shpejtuar më 6 shtator në Kuvendin e RMV-së), ndryshime këto, përmes të cilave mëtohet që, jo vetëm të amnistohen ata që e shndërruan këtë vend në ‘shkretëtirë’ pa kushte elementare për jetesë, por të njejtat synojnë që të stimulojnë edhe më tej hajdutërinë dhe krimin, duke amnistuar a priori hajdutët dhe kriminelët potencial të së ardhmes… Nën hijen e kësaj çmendurie, banorëve të rëndomtë të këtij vendi, me qëllim të mbijetesës, nuk ju mbetet gjë tjetër, përpos që t’i instalojnë ‘gjykatat popullore’, edhe atë, përmes ngritjes së zërit të arsyes dhe protestës, organizimeve të ndryshme civile dhe lëvizjeve të ndryshme qytetare, si dhe përmes përdorimit të gjitha mekanizmave legal, deri tek masat e padëshueshmërisë qytetare… E gjithë kjo, me qëllim të ruajtjes së pragut, nderit, dinjitetit, dhe atyre pak perspektivave të mbetura për gjeneratat e ardhshme…!

Përndryshe, të gjithë ne rrezikojmë që të mbarojmë në të njejtit moçal dhe në të njejtën kënetë…; qoftë si rezultat i indiferencës sonë, me ç’rast do të konsiderohemi bashkëpjesëmarrës në krim…; qoftë si rezultat i kontaminimit nga këto ‘erëra’ kundërmuese, me ç’rast, poashtu do të konsiderohemi viktima të heshtjes dhe indiferencës sonë… Zgjidhje dhe alternativë tjetër nuk ka…!!!

Andaj, zgjidhni dhe merrni…!

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit