Ikja nga Maqedonia e Veriut nuk po njeh moshë e profesion, të rijnë e të moshuar, me ose pa profesione po zgjedhin rrugën e njëjtë atë drejtë Gjermanisë. Pritja më shpresë dhënëse për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut është shndërruar pritja e terminit për të marrë viza për të shkuar në vendet evropiane, sidomos në Gjermani. Se të rinjtë e vendit tonë e duan punën dhe duan të punojnë është fakt i pamohueshëm, përndryshe nuk do të arrinin të mbijetonin në shtetet evropiane aty ku puna është primare. Pra, ajo që u mungon të rinjve është një punë e sigurt për të pasur një mirëqenie sociale. Shifrat janë të pamëshirshme. Në 20 vitet e fundit popullsia e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për 200.000 banorë. Fenomenin e ikjes së qytetarëve e ka diskutuar të paktën njëherë secila parti politike, mbase disa edhe më shumë se njëherë por që zgjidhje konkrete për ndalim të kësaj “gjakderdhje” nuk kanë ofruar thjesht vetëm si diskutohet si fenomen dhe me kaq përfundon gjithçka, shkruan Zhurnal.
Maqedonia e Veriut rrezikon të futet në krizën më të rëndë, “krizë për banorë”-
Shifrat janë të pamëshirshme. Në 20 vitet e fundit popullsia e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për 200.000. Shqetësuese janë të dhënat se po ulet kategoria e moshës nga 15 deri 64 vjec, u tha nga VMRO-DPMNE. Maqedonia e Veriut bëhet vend pa popull, territor pa popullsi. Shkollat pa nxënës, me ekonomi të prapambetur, thanë zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, duke dërguar kritika në adresë të qeverisë.
Por, që kriza me ikjen e qytetarëve nuk ka filluar me këtë qeveri zanafillën e ka më herët, pra edhe vetë partia kritikuese në këtë duhet të mbaj përgjegjësi për këtë fenomen me pasoja afatgjata.
“Kësi kataklizme nuk kemi pasur asnjëherë. Para se të vinte jeta e Zaevit në vitin 2016 kishim 23.000 foshnje të lindura, kurse vitin e kaluar 18.027. Asnjë vend në botë nuk ka kësi rënie. Largohen edhe familje që qëndrojnë mirë ekonomikisht. Padrejtësi po i ndodh Maqedonisë së Veriut. Duhet ta ndalim këtë”, tha Vlatko Gjorcev nga VMRO-DPMNE.
Po, në realitet ky është shqetësim që po prek secilin qytetar e secilën familje, sepse shumë të moshuar po mbyllen në katër mure, shumë të rinj po braktisin vendin e tyre, shumë profesionistë të fushave të ndryshme po shohin vendet perëndimore si vendet potenciale dhe ideale për të vazhduar karrierën dhe kjo po shpie drejt një katastrofe të paparamenduar më parë ku vendi do të përballet me mungesë banorësh.
Ikja e qytetarëve nga vendi po vazhdon me hov të madh, ikje që është pa kthim –
Ikja e qytetarëve nga vendi është një temë që ka filluar dhe nuk po mbaron dot, fundi nuk i dihet mbase po parashihet se kjo temë do të përflitet deri sa të ikë edhe qytetari i fundit. Flasim për një ikje e largim masiv në kushte paqësore, që mbase është krijuar sikurse shprehi e rutinë që po erdhe në moshën madhore duhet të largohesh nga ky vend.
Kjo ikje nuk ka të ndalur do të vazhdojë ende, e këtë nuk po e thonë klientët e “çajtoreve” por rezultatet e hulumtimeve mbi këtë temë. Shifër tmerruese ku 42 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të largoheshin nga vendi nëse do të pajiseshin me të gjitha dokumentet e nevojshme.
Gatishmërinë më të madhe për t’u larguar e kanë treguar të rinjtë dhe ata me arsim më të lartë – universitet, sipas rezultateve të anketës së Gallup International Association. Kjo flet për realitetin që shihet në terren, ku kjo pakicë që ka mbet për një kohë të shkurtë do të përgjysmohet në masë shumë të madhe.
Siguria është nevojë elementare e bazike për të jetuar kudo në cilin do vend. Por, krahas mungesave tjera që janë të shumta në vendin tonë mungon edhe siguria. Mungesa e sigurisë prodhon ndjenjën e frikës dhe të qenurit i pasigurt në vendin tënd të lindjes, ndërkaq padrejtësia e vështirëson mbijetesën në këtë vend sepse duhet të përballesh me një sistem të kalbur të drejtësisë. Mund të vritesh në vend publik ngjashëm sikurse në vend të fshehtë nga ajo vrasje mbeten vetëm viktimat dhe mbetjet e plumbave, asgjë më shumë.
Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë.