BDI-ja dhe LSDM-ja duken larg marrëveshjes për kandidat të përbashkët presidencial, apo thënë ndryshe partnerët e koalicionit do të dalin me kandidatët e tyre. Në LSDM akoma vazhdon procesi i vlerësimit të kandidatëve edhe pse emrat që jo zyrtarisht sillen brenda socialdemokratëve janë Stevo Pendarovski, Oliver Spasovski dhe Fatmir Bytyqi. Kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski tha se subjekti i tij do të ketë kandidat, ndërsa shtoi se qëndrimi i tyre i betonuar është për të mos mbështetur kandidatin e BDI-së. Kreu socialdemokrat nuk deshi të komenton kandidaturën e mundshme të Ali Ahmetit për president.
“Ata që duan do të na bashkohen, ata që konsiderojnë se duhet të kenë kandidatët e tyre, neve jemi shoqëri demokratike dhe respektojmë vendimet që i marrim i respektojmë. Nuk e kemi thënë dhe nuk kemi biseduar se diçka patjetër duhet të ndodh. Me Ali Ahmetin nuk jam parë. Ne do të kemi kandidatin tonë për president. A do të kandidon Ahmeti apo dikush tjetër nga BDI, për këtë pyesni në BDI”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryetar i LSDM-së.
BDI pritet që kandidatin për president, tani kur u gjet para faktit të kryer përball opozitës, ta shpalos nga mbledhja e partisë. Emri më i përfolur është ai i Bujar Osmanit, por deri tani asgjë zyrtare nuk ka dal nga ky subjekt. Ndërkohë opozita shqiptare është përcaktuar për Arben Taravarin i cili duhet të nisë procesin e mbledhjes së nënshkrimeve. E Majta është përcaktuar për Biljana Vankovskan, ndërsa VMRO-DPMNE-ja do ta shpalos emrin e kandidatit për president në Konventën e cila do të mbahet në fillim të muajit mars. Subjektet tjera akoma nuk kanë shprehur ambiciet për ta garuar në zgjedhjet presidenciale. Afati i fundit për zyrtrarizimin e kandidaturave për president është 20 marsi.