Pengesa kryesore e integrimit të vendit në BE dhe e sundimit të ligjit është BDI-ja, sipas Lidhjes Evropiane për Ndryshim, shkruan Alsat.
Nga koalicioni opozitar thonë se faktori ndërkombëtar tashmë ashpër po kritikon BDI-në për ndikimin në gjyqësor, sidomos pas presioneve ndaj kryetares së Gjykatës supreme Besa Ademi, për kthimin e Nikolla Gruevskit. Sipas tyre, presionin BDI-ja e ushtron përmes anëtarëve në Këshillin gjyqësor.
“Milazim Mustafa, sot anëtar i Këshillit gjyqësor ka qenë këshilltar i tre ministrave të Drejtësisë nga radhët e BDI-së, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi dhe Bilen Saliji, është pikërisht personi që ka ngritur iniciativën për shkarkimin e Besa Ademit dhe në një prej seancave kur ajo u mor në pyetje, sipas mediave, e kërcënoi me burg. Selim Ademi, sot anëtar i Këshillit gjyqësor, më herët sekretar i Komunës së Gostivarit kur kryetar ishte Nevzat Bejta, dhe këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë deri sa ministër ishte Blerim Bexheti. Pas të gjitha këtyre fakteve të prezantuara bashkërisht mund të konstatojmë se e keqja, korrupsioni dhe ndërhyrja në gjyqësor ka emër”, tha Ardian Demiri, Lidhja Evropiane për Ndryshim.