Lidhja Demokratike i rekomandon Qeverisë që të propozojë ndryshimin e ligjeve që do të shtyjë deri në fund të këtij viti afatin për zëvendësimin e dokumenteve personale (letërnjoftime, patentë shoferë dhe pasaporta).
“Ndërrimi i dokumenteve personale është në përputhje me Marrëveshjen e nënshkruar në Prespë, mes Maqedonisë dhe Greqisë, por është më se e qartë se nuk ka mundësi teknike, si dhe potencial të mjaftueshëm personel, për të përfunduar këtë operacion deri në fillim të shkurtit”, thonë nga LD.
Sipas tyre, kjo përbërje e Qeverisë apo Qeverisë teknike duhet të përgatisë ndryshimet ligjore, pas së cilës Kuvendi duhet t’i kalojë me procedurë urgjente.
“Çështjet e mundshme të hapura me Greqinë duhet të zgjidhen diplomatikisht. Turma të mëdha dhe të padurueshme janë krijuar para sporteleve të MPB-së, ku qytetarët presin dy ditë në radhë për shkëmbimin e dokumenteve”, thonë nga LD.
Edhe presidenti i shtetit Stevo Pendarovski dje kërkoi shtyrjen e afatit deri në shtator.
“Po i bëj propozim publik Qeverisë që ligji për dokumente të udhëtimit të zgjatet deri në shtator, duhet t’i mbrojmë qytetarët – nuk ka kuptim të vazhdohet me kaosin me lëshimin e dokumenteve të reja”, tha Pendarovski.