Sunday, November 24, 2024
spot_img
BallinaKurioziteteKush është Kaja Kallas, gruaja që mund të zëvendësojë Borrellin?

Kush është Kaja Kallas, gruaja që mund të zëvendësojë Borrellin?

Speciale nga Radio Evropa e Lirë

Kritike e madhe e Rusisë, mbështetëse e vazhdueshme e Ukrainës, dhe përkrahëse e idesë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

Këto janë vetëm disa prej pikave të forta për të cilat njihet kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

Sa i përket Kosovës, ajo është takuar disa herë me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe ka thënë se mbështet synimet euro-atlantike të këtij shteti.

Emri i 47-vjeçares po përmendet shpesh së fundmi, si mundësi për t’u emëruar si kryediplomate e Bashkimit Evropian në legjislaturën e re të bllokut evropian.

Aktualisht këtë pozitë e mban Josep Borrell.

Liderët e BE-së janë takuar më 17 qershor për të diskutuar emrat e rinj në pozitat kryesore të bllokut, por nuk kanë arritur pajtueshmëri.

Pavarësisht rritjes së konsiderueshme të partive të së djathtës ekstreme, partitë e qendrës së djathtë dhe të majtë kanë dalë të parat.

Kjo nënkupton që shefja aktuale e BE-së, Ursula von der Leyen e Partisë Popullore Evropiane – që ka fituar më së shumti vota – ka shumë mundësi të fitojë një mandat të dytë.

Përveç emrit të Kallasit për pozitën e kryediplomates së BE-së, në qarqet diplomatike po përmendet edhe emri i ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa për pozitën e shefit të Këshillit Evropian.

Qëndrimi i ashpër ndaj politikave të Rusisë mund të jetë njëra prej dilemave nëse Kallas do të mund të bëhet kryediplomate e BE-së, duke marrë parasysh qëndrimet e disa liderëve evropianë ndaj Moskës, edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, thuhet në një material të agjencisë Reuters.

Shembull, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban vazhdon të kultivojë marrëdhënie miqësore me presidentin rus, Vladimir Putin.

Për dallim prej Orbanit, Kallas e ka ngjitur Estoninë lart në listën e vendeve që kanë ndihmuar Ukrainën për t’i bërë ballë konfliktit.

Emri i saj është në listën e kërkimit të Ministrisë së Brendshme ruse për, siç është thënë, shkatërrimin e monumenteve të epokës sovjetike.

Estonia, bashkë me Letoninë dhe Lituaninë, kanë rrëzuar shumicën e monumenteve të kësaj periudhe, sidomos ato që përkujtojnë ushtarët sovjetikë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

E lindur në Tallin, ajo është stërmbesa e shefit të parë të Policisë së Estonisë, pas daljes së vendit nga Perandoria Ruse kur ka përfunduar Lufta e Parë Botërore, por që është zhytur më pas në Bashkimin Sovjetik, më 1940.

Nëna e Kallasit i ka pasur vetëm gjashtë muaj kur familja e saj është detyruar të zhvendoset me forcë në Siberi, më 1949, bashkë me 20.000 estonezë tjerë.

“Rusia nuk ka ndryshuar”, ka thënë ajo vitin e kaluar, sipas raportimeve të Reutersit, kur e ka shënuar përvjetorin e ekzilit të nënës së saj.

“Ky djall jeton ende në Rusi”.

Kryeministrja Kallas është takuar vjetëve të fundit edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe me kryeministrin, Albin Kurtin.

Pas takimit me Osmanin, më 2021, Kallas pati thënë se Estonia mbështet Kosovën drejt integrimeve evropiane dhe që çelës për sukses janë “reformat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sigurimi i njohjeve të shtetësisë prej pesë vendeve të BE-së” – referencë për Sllovakinë, Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Spanjën.

Ajo e ka përmendur në atë takim edhe nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, me arsyetimin se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

Kallas është takuar me Kurtin dy herë, më 2022 dhe 2023, në Tallin të Estonisë.

Kryeministrja e Estonisë e ka falënderuar Kurtin që Kosova është rreshtuar përkrah BE-së në sanksionimin e Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, ndërsa Kurti e ka falënderuar atë për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës në shtetndërtim.

Në takimin e 2023-ës, në kuadër të një samiti për partneritet të hapur qeveritar, dy zyrtarët kanë diskutuar për nevojën e bashkëpunimit në digjitalizim të shërbimeve publike, duke marrë shembull Estoninë.

“Kosova dhe Estonia kanë marrëdhënie bilaterale të shkëlqyeshme, ashtu sikurse të kaluar të ngjashme historike.

Kosova e merr shtetin e Estonisë si model në shumë aspekte të shtetndërtimit”, pati thënë Kurti duke përmendur në veçanti administratën publike.

Zyrtari që emërohet në rolin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka rol të dyfishtë.

Ai person është edhe njëri prej nënkryetarëve të Komisionit Evropian dhe ka rolin e kreut të diplomacisë evropiane.

Ai, gjithashtu, punon për të krijuar konsensus midis vendeve anëtare të BE-së, kryeson takimet midis ministrave të jashtëm të BE-së, ministrave të Mbrojtjes, ministrave të Tregtisë dhe Zhvillimit.

Liderët e BE-së pritet të vazhdojnë diskutimet për emrat në krye të bllokut evropian në fund të javës së ardhshme, kur do të mbahet samiti i rregullt i BE-së, më 27 dhe 28 qershor.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit