Pas tensioneve që nisën më 26 maj 2023 në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë, e që këto veprime u kundërshtuan nga serbët që mbajtën protesta të cilat kaluan edhe në dhunë, Bashkimi Evropian mori disa masa ndaj Kosovës.
Këto masa përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Lidhur me këtë, shefi i Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti sot, për të disatën herë, foli në një konferencë për media.
“Çështja e masave dhe heqjes së tyre ka të bëjë me deeskalimin e situatës nuk ka të bëjë me marrëveshjen bazike. Masat nuk kanë arsye të jenë më aty” – tha Kurti.
Tutje ai shtoi se Kosova ka masa për shkak të përpjekjeve për destabilizim të veriut.
“Ne kemi thënë që i dimë emrat e atyre që kanë shkaktuar këtë dhunë. Deeskalimi ne masë të konsiderueshme ka ndodhur dhe adresa për potencial të rieskalimit nuk është Prishtina. Deeskalimi që ka ndodhë duhet të ishte i mjaftueshëm për heqjen e masave” – tha kryeministri.
Pas tensioneve që u krijuan BE dhe SHBA kërkuan shtendosje të situatës, tërheqje të Policisë së Kosovës nga objektet komunale si dhe zgjedhje të reja në komunat veriore.
Për këtë çështje Kurti kishte folur edhe në deklarimin e tij pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që ishte takim i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, e që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti kishte thënë se shtendosja në veri të Kosovës ka ndodhur dhe se institucionet po bëjnë gjithçka që tensionet të mos përsëriten.
“Deeskalimi ka ndodhur në Kosovë. Ne duhet të kemi kujdes të mos ketë rieskalim dhe për këtë po bëjmë gjithçka që është e mundur por, edhe konfiskimi i armatimit, edhe i armëve në veri, edhe arrestimi i kriminelëve është në funksion të rendit dhe ligjit të cilët e ndihmojnë deeskalimin”- kishte deklaruar Kurti.
Në anën tjetër në gusht të këtij viti zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano në një konferencë për media ishte pyetur edhe për situatën e krijuar kohëve të fundit në mes shtetit të Kosovës e vendit të saj fqinj, Serbisë.
Stano gjatë përgjigjes së tij, ka thënë se masat ndaj Qeverisë së Kosovës janë marr për shkak të paaftësisë së saj që të fillojë të sillet në mënyrë evropiane.
Ai asokohe gjithashtu përmendi edhe mundësinë për marrjen e masave ndaj Serbisë.
Duke treguar se BE ka një qasje të balancuar ndaj të dyja palëve të përfshira në ngjarje, Stano tregoi se mbetet në dorën e vendeve anëtare dhe parnetërve të tjerë për të vlerësuar nëse duhet të merren masa ndaj Serbisë.
Ndërsa, një ditë pas takimit të fundit në mes dy vendeve fqinje, Stano tha se Kosova nuk ka marrë hapa të mirëfilltë për shtendosjen e situatës në veri, andaj edhe masat kufizuese vazhdojnë të jenë në fuqi.
“Ne nuk e kemi parë de-përshkallëzimin ende, ne nuk kemi parë hapa të mirëfilltë ende, janë marrë disa hapa, të cilët ne i mirëpresim por duhen ende hapa, pra ne kemi parë një de-përshkallëzim të mirëfilltë, në të kundërtën fatkeqësisht ka potencial për eslakim”- tha ai.
Stano shtoi se masat mund edhe të shtohen varësisht nga situata.