Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në një intervistë për median austriake.
“Dhjetëra terroristë paramilitarë erdhën nga Serbia dhe vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Zveçan, në komunën veriore dhe ata sollën me vete pajisje të shumta ushtarake dhe municione. Vlera e tyre është mbi 5 milionë euro, të prodhuara në Serbi në dy fabrika, Sloboda dhe Zasrava arms në vitet e fundit.”
Ai tha se Radojçiqi e pranoi se e ka organizuar sulmin dhe se është parë shumë shpesh të ulet pranë presidentit Vuçiq “në takime të nivelit të lartë në Beograd”
“Disa ditë pas këtij sulmi terrorist ai u arrestua në Serbi dhe u lirua brenda disa orësh. Presidenti i Serbisë është në krye dhe mbrapa këtij sulmi derisa përpara janë kriminelët që i njohin nga krimi i organizuar në Veri dhe në kufirin me Serbinë”
“Shenjat e Serbisë janë gjithandej në këtë akt agresioni dhe duhet të dënohet nga anëtarët e BE dhe SHBA’të pasi nuk ka asnjë dyshim që sulmi nuk ishte se qytetarët kapën armët apo fenomen spontan”, tha ai.
Kurti tha se Serbia po sillet si “Rusi e vogël”.
“Serbia e di që s’mund ta ketë të gjithë Kosovën por janë vënë pas veriut, ku shumica e strukturave ilegale janë prezente për më shuëm se 24 vjet që nga përfundimi i luftës. Serbia nuk dëshiron paqe, nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe Be dhe dëshiron ta destabilizojë vendin tonë dhe të marrë territor që ta kompensojë humbjen e luftërave”, tha ai.