Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga ndërkombëtarët që të ndëshkojnë Serbinë me masa, pasi në të kundër do ta përsërisë agresionin e 24 shtatorit. Duke folur në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, ai thekson se ka prova të pakontestueshme që e lidhin Beogradin drejtëpërdrejt me sulmin e armatosur në Banjskë.
Kurti shton më tej se plani i agresorëve ka qenë aneksimi i veriut të Kosovës, ndërsa kërkoi nga Beogradi, ekstradimin e të gjithë personave të përfshirë në ngjarjen e 24 shtatorit.
“Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiçit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin e Kolumbisë: Escobar në fakt do të pranonte të shkonte në burg me kusht që të vendosej në burgun e tij, të ndërtuar në mënyrë të pavarur, të cilin do të kontrollonin komandantët e tij dhe jo anasjelltas”, nënvizon kryeministri.
Ai shton se “marrëdhënia mes Vuçiçit dhe Radoiçiçit nuk është origjinale, por e kopjuar nga “libri i lojërave” të presidentit rus.
“Putini i vogël në Beograd duhet të ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Slobodani i ri në Beograd ka Arkanin e tij të ri në Kosovë”, përfundon Kurti.