Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot ka pranuar kërkesat për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në vend të parashtruara nga Organizata ndërkombëtare për sistemet zgjedhore IFES dhe Misionin vëzhgues të OSBE-së. Anëtarët e KSHZ-së në seancë konstatuan se për kërkesën e IFES dhe OSBE-së janë plotësuar kushtet konform Kodit zgjedhor.
KSHZ-ja në seancë hodhi shortin për shpërndarjen e lokacioneve të panove reklamuese dhe bilbordeve në bazë të nenit 78 a të Kodit zgjedhor për partitë në pushtet, në opozitë, pa grup parlamentar dhe për partitë joparlamentare.
Në seancë u pranuan kërkesat për përjashtimin e personave nga angazhimi në komisionet komunale zgjedhore të cilët kanë paraqitur arsyetim me dokumentacion përkatës, ose në emër të tyre atë e kanë kërkuar institucione dhe bëri zgjedhjen e personave të tjerë për kryetarë, zëvendëskryetarë dhe anëtarë të komisioneve komunale zgjedhore.
Seanca do të vazhdojë në orën 13:30 me diskutimin mbi udhëzimet e propozuara për përcaktimin e identitetit të votuesit. Në rend dite janë edhe udhëzimet e propozuara për mënyrën dhe procedurën e ruajtjes, përpunimit dhe fshirjes së të dhënave të gjurmëve të gishtërinjve nga lista elektronike zgjedhore, propozim i udhëzimit për mënyrën e emërimit të anëtarëve të këshillave zgjedhore me propozim të partive politike për zgjedhjet për kryetar dhe deputetë, ndryshim të regjistrit të transmetuesve dhe mediave të shkruara për zgjedhjen e kryetarit dhe deputetëve dhe pika të tjera.