Kryeministri i vendit, Albin Kurti ditë më parë ka prezantuar disa pika të Qeverisë së Kosovës për tejkalimin e situatës, gjersa po ashtu ka kërkuar që disa të tjera të plotësohen nga Serbia.
Ai ka thënë se Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim të situatës.
“Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon”.
Hapat e propozuar nga Kurti që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarr janë:
Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;
Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;
Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 për qind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;
Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.
Ndërkohë, Kurti ka thënë se nga Serbia pret të plotësohen këto pika:
Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre;
Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;
Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit.
Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.
Por pavarësisht këtyre pikave që ditë më parë Kurti i ka prezantuar në Bruksel, të enjten presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi se mbështet idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë dhe kjo sipas tij me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.
Michel i bëri komentet para samitit të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet edhe për Ballkanin Perëndimor. Presidenti i Këshillit Evropian në një deklaratë për media tha se duhen hapa të qartë drejt normalizimit.
“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë që sa më parë që të jetë e mundur, për të organizuar një konferencë…”, tha Michel, raporton Telegrafi.
Ai po ashtu potencoi nevojën e koordinimit me SHBA-në.
“Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe koha ka ardhur të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi]”, tha Michel, derisa shtoi se po përpiqen maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor.
E idenë për një konferencë e kishte dhënë ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media me përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell kishte dhënë idenë për një konferencë ndërkombëtare.
Ai kishte shprehur idenë që të organizohet një konferencë me të dy liderët, atë të Kosovës dhe Serbisë me ekipet e BE-së dhe SHBA-së dhe “mos të lejohet që ata të dalin pa arritur një marrëveshje”.