Dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një letër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit, duke kërkuar që të ndryshohet qasja në raport me Kosovën dhe Serbinë. Deputetja britanike, Alicia Kearns, publikoi letrën që i është dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly.
Ajo tha se kjo letër është nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë. “Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejmë të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, u tha në letër.