Republika e Kosovës feston 17 vjetorin e pavarësisë. Liderët politik në orët e para të mëngjesit vendosën kurore në shenjë respekti te kompleksi i dëshmorëve në Prekaz, tek varri i ish presidentit Ibrahim Rugova dhe varri i ish atdhetarit Adem Demaçi. Homazheve iu bashkuan edhe qytetarët.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se rrugëtimi i Kosovës si republikë nuk mund të ndalet nga askush.
“Një falënderim të përhershëm për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka në mënyrë që sot ne së bashku ta festojmë këtë ditë të shenjtë e historike, duke filluar nga arkitekti i pavarësisë, presidenti historik, dhe komandanti legjendar Adem Jashari që udhëhoqi UÇK-në e deri te secili qytetar i republikës sonë që sakrifikoi me mund e me gjak në mënyrë që sot të gëzohet kjo ditë”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti bëri një krahasim ekonomik. Sipas tij, Kosova sot është shumë e fortë ekonomikisht se sa para 17 vjetëve.
“Ekonomia e Kosovës është trefish më e madhe sesa para 17 vjetëve, por në të njëjtën kohë edhe jemi shembull për siguri, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, kur kemi parasysh të drejtat e qytetarëve, mirëqenien e tyre, entuziazmin popullor dhe sukseset e republikës sonë, që janë suksese të popullit, të institucioneve por edhe të partnerëve”, deklalroi Albin Kurti, Kryeministër.
Kurti dhe Osmani bën homazhe edhe te Monumenti i të pagjeturve dhe Memoriali i fëmijëve të vrarë. Agjenda e manifestimit vazhdon gjatë gjithë ditës. Parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës është paraparë në orën 12:00 në Sheshin George Bush.