Mësohet se Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë kanë njoftuar se edhe këtë vit përfaqësohen me pavion në edicionin e 74-të të Tregut Evropian të Filmit, i cili zhvillohet gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale).
Qendra Kinematografike e Kosovës ka shkruar se “European Film Market” është ndër 3 tregjet kryesore të takimit të industrisë ndërkombëtare të filmit dhe medias.
Thuhet se lidhja e ngushtë me Berlinalen si një festival filmi publik dhe pozicionimi i tij në zemër të Berlinit janë karakteristikat kryesore të këtij tregu.
“Gjatë këtyre ditëve në pavionin me numër 138, i cili gjendet në Hotel Marriott, me adresë Inge-Beishem-Platz 1, 10785 Potsdamer Platz, krahas promovimit të filmave tanë, do të zhvillohen edhe takime të ndryshme me fonde filmi, partneritete ndërkombëtare, përfaqësuesh festivalesh, prodhues e distributorë nga e gjithë bota. Ndër materialet promovuese të filmave tonë, vizitorët po ashtu mund të shfletojnë edhe katalogun e fundit me filmat e mbështetur nga QKK-ja, të cilët janë në faza të ndryshme të prodhimit”, thuhet në njoftim.
Pavioni do të jetë i hapur deri më 21 shkurt 2024.