Kongresisti Ritchie Torres, njëherësh bashkëkryesues i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, ka folur për rastin e Banjskës.
Ai mbrëmë në një shkrim në Twitter, kërkoi që autorët e sulmit të mbajnë përgjegjësi.
“Sot janë bërë një vit nga sulmi terrorist në Banjska të Kosovës. E nderojmë sakrificën e policit Afrim Bunjaku në mbrojtjen e popullit gjatë këtij sulmi dhe kërkojmë që autorët të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre brenda Kosovës”, shkroi Torres dje.
Ndryshe, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, bëri homazhe te varri i Bunjakut në Vushtrri më 24 shtator.
Sot iu bashkova Qeverisë së Kosovës dhe kolegëve të mi diplomatikë për ta nderuar kujtimin e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në detyrë në sulmin e Banjskës, një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjet dhe presin që kryerësit dhe të gjithë të përfshirët në këtë krim të tmerrshëm të mbahen përgjegjës”, shkroi Hovenier në X.
Ndërkaq, BE-ja tha se pret nga Serbia të ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’u siguruar që të dyshuarit për kryerjen e sulmit vdekjeprurës në Banjskë të japin llogari.
Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.
Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.