“Nga komunat rurale në vit ndahen me qindra mijëra denarë për mirëmbajtje ekologjike, gjegjësisht për pastrim, megjithatë rrugët e fshatrave por edhe trotuaret pothuajse asnjëherë nuk lahen dhe nuk pastrohen dhe pamjet e këtilla, janë gjithnjë e më të shpeshta”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
Autoritetet komunale në Tearcë e Bërvenicë për mosmirëmbajtjen e rrugëve e trotuareve arsyetohen me mungesën e financave dhe ndërmarrje përkatëse.
“Në kuadër të ndërmarrjes publike funksionon ndërmarrja e menaxhimit të ujit të pijshëm ndërsa shërbimet tjera nuk janë të përfshira shkaku i kufizimeve, sepse realisht nga nëntë fshatra që gravitojnë në komunë vetëm katër janë pjesë e sistemit të shërbimit të ujit të pijshëm. Ndërsa shërbimet tjera komunale nuk janë komponentë përbërëse dhe nuk funksionojnë. Ne gjithnjë kemi kërkuar por gjithnjë të kufizuar nga mundësitë financiare jemi sepse vetë ndërmarrja s’është në këmbë të veta që të ofrojë këto shërbime komunale që janë në kompetenca të ndërmarrjes publike”, tha Nuhi Neziri, kryetar i komunës së Tearcës.
“Komuna e Bërvenicës në kuadër të NPK-së nuk ka njësi të veçantë që merret me pastrimin e rrugëve dhe rrugicave dhe mirëmbajtjen dimërore të të njëjtave, por angazhojmë punëtor sezonal që në bazë të programit vjetor për mirëmbajtje publike e kryejnë këtë punë”, theksoi Jakup Huseini, inspektor komunal.
Në pothuajse të gjithë vendin mbeturinat shpesh përfundojnë nëpër male, fusha dhe shtretërit e lumenjve, dhe jo në vendin e caktuar për grumbullimin e tyre.