Në Kosovë, Komisioni Qendror Zgjedhor është ende në procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për shkarkimin e kryetarëve aktualë. Në KQZ thonë se ky proces do të marrë kohë. Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, thotë se zgjedhjet e reja në veri mund të mbahen vetëm nëse arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit.
“Nëse dalin dhe votojnë 50 për qind plus një të trupës së votuese të këtyre komunave, atëherë natyrisht krijohen rrethanat për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të katër komunave veriore dhe pastaj janë përgjegjësitë e presidentit për t’i shpallur. Nuk mund të flasim për afate sepse këto marrin kohë dhe varet çfarë dinamike ndiqet atje”, tha Adnan Rrustemi, Vetëvendosje.
Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ndërkaq thotë se nëse nuk arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit, procesi për zgjedhjet në veri do të dështojë.
“Tani është procedura e verifikimit të nënshkrimeve nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor. Është një periudhë e rëndësishme ku duhet të përcaktohet saktësisht dhe të verifikohen nënshkrimet e secilit qytetarë për të bërë atë 20 përqindëshin. Ky proces zgjatë një kohë të caktuar dhe pastaj bëhet votimi i trupës elektorale për të fituar 50 për qind plus një. Nëse kjo bëhet me sukses në katër komunat, atëherë sipas Ligjit për zgjedhjet, presidentja duhet t’i shpall zgjedhjet në afat prej 30 ditëve ose 45 ditëve. Siç pritet dhe shihet do të ketë nevojë edhe për disa muaj kohë që këto formalitet informuese të kryhet, pastaj që të ketë ose jo sukses. Nëse s’ka sukses nisma, atëherë 1 vit s’ka mundësi sipas udhëzimit administrativ që të iniciohet një iniciativë e re”, u shpreh Mazllum Baraliu, Ish-kryetar i KQZ-së.
Kryetarët shqiptarë të komunave në veri të Kosovës u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovë.